Papa: Pandemia, testi më i madh i kohës sonë

Papa Françesku i bëri thirrje Evropës që të tregojë “solidaritet” gjatë rimëkëmbjes ekonomike nga pandemia COVID-19.

Papa i bëri komentet gjatë një vizite në Sllovaki – njërin nga vendet më të goditura në kontinent nga pandemia.

Ai e cilësoi pandeminë si “testin më të madh të kohës sonë”.

“Na ka mësuar se sa e lehtë është – edhe kur jemi të gjithë në të njëjtën anije – të tërhiqemi dhe të mendojmë vetëm për veten tonë”, tha Papa.

Sllovakia, vend anëtar i Bashkimit Evropian me rreth 5.4 milionë banorë, ka pasur përqindjen më të lartë të infektimit dhe vdekshmërisë nga COVID-19 në një periudhë të këtij viti.

“Pas muajve të gjatë dhe të mundimshëm të pandemisë, plotësisht të ndërgjegjshëm për vështirësitë përpara, jemi në pritje të një rritjeje ekonomike, që do të mbështetej edhe nga planet e Bashkimit Evropian për rimëkëmbje”, tha Papa në kryeqytetin e Sllovakisë, Bratisllavë.

Ai paralajmëroi kundër “ndjenjës kalimtare të euforisë” dhe tha se Evropa duhet të tregojë një solidaritet të tillë, që “duke kapërcyer kufijtë”, e kthen atë “në qendër të historisë”. /rel