Më pyet: pse nuk ma dha Zoti atë që ia kërkova?
E unë të them: mjeku nuk na jep ilaçin që duam,
por na jep atë që na duhet!
Ndoshta ti i kërkon Zotit diçka që do të të dëmtonte!
Ti i sheh gjërat me syrin tënd njerëzor të kufizuar,
ndërsa Zoti i drejton me dijen e Tij të plotë!
O miku im,
kur fëmija i vogël i sheh kokrrat e ilaçit me ngjyrë, qan duke i dashur,
por prindërit e ndalojnë.
Fëmija mendon se është privuar,
por prindërit e dinë se ndonjëherë ndalimi është vetë dhuratë!
Kështu i rregullon Zoti punët me mëshirën e Tij — prandaj trego respekt dhe edukatë!
Ndoshta Zoti dëshiron të ta japë atë që i kërkon,
por ende s’ka ardhur koha —
sepse koha është pjesë e urtësisë së Tij që ti nuk e sheh!
O miku im,
lexo fjalën e Zotit tënd:
“Kur ai arriti pjekurinë dhe u bë i aftë, Ne i dhamë atij urtësi dhe dije.”
Ka gjëra për të cilat duhet të piqesh, që të dish si t’i mbash kur t’i marrësh!
O miku im,
sikur Zoti ta kishte liruar Jusufin (alejhi selam) nga burgu që në fillim,
ai s’do të kishte arritur në fronin e mbretërisë.
Jusufi ishte prapa hekurave,
por Dora e të Plotfuqishmit ishte e lirë,
duke përgatitur arsyet për dhuratën e madhe që po vinte.
O miku im,
dhjetë vitet që Musai (alejhi selam) kaloi në Medjen nuk ishin të humbura.
Duhej që rrethanat në Egjipt të përgatiteshin për ardhjen e tij,
dhe edhe ai vetë të përgaditet,
sepse barra që e priste ishte e rëndë —
vonesat janë përgatitje dhe formim!
O miku im,
myslimanët deshën të ngrinin shpatat në Mekë
për t’u mbrojtur nga padrejtësia,
por leja për luftë u dha vetëm pas hixhretit.
Ai që i ndihmoi pas hixhretit,
kishte fuqi t’i ndihmonte edhe më parë në Mekë,
por Zoti deshi t’i edukonte së pari,
sepse shpata që nuk mbështetet në besim
shpejt devijon nga e drejta.
Zoti deshi që shpatat të ngrihen për lavdinë e fjalës së Tij,
jo për hakmarrje apo krenari personale!
O miku im,
me të vërtetë, në historitë e tyre ka mësim — prandaj medito dhe përfito!
Nëse je privuar krejtësisht — është mëshirë;
nëse të është dhënë — është urtësi;
dhe nëse është vonuar — ende s’ka ardhur koha!
Paqe për zemrën tënde. ❤️
Nga Ed’hem Sherkavi
Hoxhë Bedri Syla








