Parimet bazë të shkencave kuranore

Dijetarët – Allahu i mëshiroftë – kanë thënë, se çdo shkencë duhet studiuar duke pasur parasysh 10 parime: përkufizimin, objektin, rezultatin, vlerën, kategorinë, themeluesin, emërtimin, burimet, gjykimin përkatës të Sheriatit për studimin e kësaj shkence dhe çështjet që trajtohen prej saj.

1- Përkufizimi: Dija e shkencave të Kuranit përfshin disiplina të ndryshme si: shpallja, shkaqet e zbritjes, suret e shpallura në Meke dhe në Medine, ajetet anuluese dhe të anuluara, tefsiri dhe texhvidi, etj.

2- Objekti: Kurani Fisnik dhe dijet e tij.

3- Rezultati: Kuptimi i drejtë i Kuranit.

4- Vlera: Studimi i kësaj shkence ka vlerë të madhe, sepse ka lidhje me Librin e Allahut.

5- Kategoria: Bën pjesë në shkencat ndihmëse dhe është e ndërlidhur me shkencat e tjera islame.

6- Themeluesit: Harith Muhasebi (v. 243 Hixhri/857), Udfuvi (v. 388 Hixhri/998) dhe Ali ibn Ibrahim ibn Said Hufi (v. 430 Hixhri/1039).

7- Emërtimi: “Ulûmu`l-Kurân – shkencat e Kuranit, apo disiplinat e Kuranit”, apo “Usûlu`t-Tefsîr – bazat e tefsirit”.

8- Burimet: Kurani, Hadithi dhe fjalët e sahabëve.

9- Gjykimi i Sheriatit për të: Mësimi dhe studimi i shkencave kuranore është farz kifaje.

10- Çështjet që shqyrton: Llojet e dijeve të ndryshme që kanë të bëjnë me Kuranin, si: mënyra e shpalljes së Kuranit, shkaqet e shpalljes së tij, emrat dhe cilësitë e Kuranit, objektivat e tij, komentimi i Kuranit etj.

Termi “Ulumu`l-Kuran” përfshin kërkimet dhe studimet paraprake për kuptimin e ajeteve dhe zbulimin e synimit të tyre.

Autor: Rushit Musallari