Pas armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit, kryediplomati amerikan Blinken do të vizitojë rajonin

Ned Price

Me qëllim për të diskutuar çështjen izraelito-palestineze dhe për të zhvilluar takime me palët, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, do vizitojë rajonin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas deklaratës me shkrim të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit të SHBA Ned Price, Blinken ka zhvilluar dy telefonata me homologun e tij izraelit, Gabi Ashkenazi.

Blinken ka shprehur mirënjohjen e tij për Ashkenazin, i cili e ka njoftuar se “palët kanë arritur një armëpushim”, ndërkohë që kryediplomatët kanë falënderuar Egjiptin për përpjekjet e tyre të ndërmjetësimit.

Në deklaratën e zëdhënësit të Departamentit ku njoftohet se Blinken do të shkojë në rajon për t’u takuar me palët palestineze dhe izraelite në ditët në vijim, u theksua se SHBA-ja do të jetë në koordinim dhe komunikim të ngushtë me të gjithë aktorët në mënyrë që të ruajnë paqen në rajon.

Ende nuk është lëshuar asnjë deklaratë nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së në lidhje me datat e vizitës së Blinken-it në rajon. /aa