Pas tërmetit në Izmir, krerët e Kosovës solidarizohen me popullin turk

Krerët e shtetit të Kosovës kanë reaguar pas tërmetit që tronditi qytetin turk Izmir, duke u solidarizuar me popullin dhe shtetin e Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një reagim nëpërmjet rrjeteve sociale, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se Kosova qëndron pranë popullit dhe Qeverisë së Turqisë. Ai është shprehur thellë i pikëlluar nga ngjarjet tragjike të tërmetit që epiqendër pati qytetin e Izmirit.

“Të pikëlluar thellë nga ngjarjet tragjike në Izmir, Turqi. Mendimet tona janë me familjet e viktimave dhe të plagosurve. Kosova qëndron pranë popullit dhe Qeverisë së Turqisë në këtë kohë të vështirë”, ka shkruar Thaçi duke etiketuar në postim presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Po ashtu edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas tërmetit që goditi pasditen e sotme qytetin e Izmirit.

“Të shqetësuar nga lajmi i tërmetit në Izmir të Turqisë. Populli i Kosovës janë në solidaritet të fuqishëm me të gjithë të prekurit nga ky tërmeti i tmerrshëm. Shprehim lutjet tona më të mira”, ka shkruar Hoti në llogarinë e tij në Twitter.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar për tërmetin në Turqi, duke u lutur që të kapërcehet kjo tragjedi.

Osmani nëpërmjet rrjeteve sociale, ka thënë se lajmet për tërmetin nga Izmiri i ka marrë me pikëllim të thellë.

“Thellë të pikëlluar nga lajmet tragjike që vijnë nga Izmiri i bukur. Zemra dhe lutjet tona u drejtohen të gjitha familjeve të prekura nga tërmeti. Zoti i ndihmoftë të gjithë për ta kapërcyer këtë tragjedi. Qëndro e fortë Turqi”, ka shkruar kryeparlamentarja Osmani.

Ndërsa, ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, ka reaguar pas tërmetit në Izmir, duke shprehur trishtim nga pamjet pas tërmetit.

“Të trishtuar nga pamjet shkatërruese të shkaktuara nga tërmeti në Izmirin e bukur. Mendimet dhe lutjet tona qëndrojnë te njerëzit miqësorë turk dhe Kosova qëndron në solidaritet me Turqinë gjatë kësaj kohe të vështirë”, shkroi Haradinaj në twitter.

Sot pasdite, një tërmet me magnitudë 6,6 ballë ka tronditur brigjet e rajonit Seferihisar në qytetin Izmir të Turqisë, duke lënë të paktën 12 të vdekur dhe 419 të plagosur.