Në një fshat të vogël jetonte një njeri shumë i varfër. Ai nuk kishte para, shtëpi të madhe, e as ushqim të mjaftueshëm. Çdo ditë e kalonte duke menduar për varfërinë e tij dhe për gjërat që nuk i kishte.
Një ditë, i lodhur nga jeta dhe i dëshpëruar, vendosi të shkonte te një njeri i urtë që jetonte në skaj të fshatit. Njerëzit e vizitonin shpesh, sepse ai dinte t’u jepte këshilla që i ndihmonin ta shihnin jetën ndryshe.
Kur arriti pranë tij, i varfri e pyeti:
– Përse jam kaq i varfër?
I urti e pa me qetësi dhe iu përgjigj:
– Sepse nuk je mësuar të dhurosh.
I varfri u habit.
– Si mund të dhuroj unë, kur nuk kam asgjë? Unë mezi siguroj atë që më nevojitet për të jetuar.
I urti buzëqeshi dhe i tha:
– Ti mendon se pasuria matet vetëm me para. Por, në të vërtet, ti ke shumë gjëra që mund t’ua dhurosh të tjerëve.
Pastaj vazhdoi:
– Ke një fytyrë me të cilën mund t’u dhurosh njerëzve një buzëqeshje.
– Ke një gojë me të cilën mund të japësh një fjalë të mirë, urtësi dhe ngushëllim dikujt që është i mërzitur.
– Ke një zemër që mund ta hapësh për të tjerët. Mund të duash, të falësh dhe të tregosh mirësi.
I urti vazhdoi:
– Ke edhe sytë me të cilët mund të shohësh të mirat tek njerëzit, edhe atëherë kur të tjerët shohin vetëm gabimet e tyre.
Pastaj shtoi:
– Dhe ke një trup me të cilin mund të ndihmosh dikë që ka nevojë për ty.
I varfri heshti. Për herë të parë, filloi ta shikonte veten ndryshe.
Ai kishte menduar gjithë jetën se ishte i varfër sepse nuk kishte para. Por tani kuptoi se kishte diçka shumë më të çmuar: mundësinë për të bërë mirë.
Që nga ajo ditë, ai filloi të buzëqeshte më shumë, t’u fliste njerëzve me fjalë të mira dhe të ndihmonte këdo që kishte nevojë. Nuk u bë i pasur me para, por u bë i pasur me dashuri, respekt dhe mirësi.
Dhe atëherë kuptoi fjalët e të urtit:
– Njeriu nuk është i varfër sepse nuk ka pasuri. Varfëria më e madhe është varfëria e shpirtit.
Pasuria e vërtetë nuk matet me atë që kemi në duar, por me atë që kemi në zemër dhe me të mirën që mund t’u japim të tjerëve. /islamgjakova








