Patate e mbushur me proshutë

Mbushja më bazike që mund t’i bëni patates është me djathë dhe proshutë, sigurisht, bashkë me vetë tulin e patates. Nuk kërkon fare teknikë, pasi është një gatim tejet i thjeshtë. Duhet vetëm të gërryeni patatet e pjekura tashmë (me kujdes se mos digjeni) dhe ta kombinoni tulin me përbërësit e tjerë. Përveç kombinimit të lartpërmendur, çlironi imagjinatën dhe mendoni se çfarë mbushje mund t’i bëni tjetër patates tuaj. Spinaq dhe proshutë është një tjetër mbushje e sugjeruar dhe e shëndetshme për to.

Përbërësit (për 4 persona): 4 patate të mëdha, 20 g gjalpë, 80 ml panna, 4 lugë djathë Parmigiano i grirë, 75 g proshutë e copëtuar, 1 qepë jeshile e grirë hollë dhe vaj ulliri.

Përgatitja: Lani dhe thani mirë patatet, pa ua hequr lëkurën. Ndizeni furrën në 180 gradë. Shponi patatet me pirun në të gjithë sipërfaqen, lyejini mirë me gjalpë, vendosini në një tavë dhe piqini në furrë për rreth 1 orë që të tkurren. Lërini patatet pak të ftohen dhe në krye të tyre pritni me thikë një vrimë, për të nxjerrë tulin. Mund edhe të prisni patatet në gjysmë, si varka të vogla. Nisni të nxirrni tulin me lugë, duke lënë vetëm lëkurën si mbajtëse. Tulin përziejeni mirë me panën, djathin parmixhan, proshutën dhe qepët e grira hollë. Shtoni kripë dhe piper sipas dëshirës. Futeni përzierjen sërish në patatet.
Spërkatni pak vaj ulliri mbi patatet dhe rikthejini në furrë për rreth 20 minuta më tepër, derisa të marrin ngjyrë të artë dhe përzierja të piqet.