Tavë me kumbullat jeshile të pranverës

Në Elbasan i thonë “kumlla Shijoni” ndërsa në vendet e tjera njihen si kumbulla shahine, kumbullat jeshile që lajmërojnë pranverën zyrtare, prandaj edhe kjo pjatë është më përfaqësuesja ndër pjatat pranverore. Ka aroma të freskëta të erëzave, shijen e athët të kumbullave dhe pamje ftuese për të gjithë! E gjithë pranvera në një pjatë…

Përbërësit për 4-5 veta:

  • Mish qingji
  • 3-4 tufa qepë të njoma
  • 3-4 tufa kopër
  • 1 tufë majdanoz
  • Pak nenexhik të njomë
  • 15-20 kokrra kumbulla jeshile të papjekura
  • Vaj ulliri 10 lugë
  • Gjysmë filxhani kafje oriz
  • Piper
  • Spec i kuq
  • Kripë

Përgatitja:

Qepët priten në copa të vogla me gjithë bishta, vendosen në tenxhere me vaj ullri, mishin dhe kaurdisen deri sa qepa të zbutet. I hedhim ujë në mënyrë që të mbulohet mishi, kripë piper spec dhe e lëmë të ziejë për 30 minuta. Pasi i shtojmë kumbullat, orizin, koprën dhe erëzat e tjera, e lëmë të ziejnë bashkë për 20 minuta. Pasi zihet, e hedhim gjellën në një tavë bakri ose balte dhe e vendosim në furrë për t’u pjekur deri sa të dali yndyra në siperfaqe e të piqet.