Patriku Theophilos III: Të krishterët në Jerusalem janë të kërcënuar nga sionistët

Ekzistenca e komunitetit të krishterë në Jerusalem është nën kërcënim për shkak të aktiviteteve të sionistëve ekstremistë, ndërsa kishat shkatërrohen nga grupet radikale që kryejnë akte vandalizmi.

Kjo thuhet në një artikull të Patrikut të Jerusalemit, Teofili III (Theophilos) me titull “Të krishterët janë nën kërcënim në djepin e besimit të tyre”, botuar në gazetën britanike “The Sunday Times”.

“Ekzistenca e të krishterëve në Jerusalem ndodhet nën kërcënim. Kishat tona kërcënohen nga grupet radikale izraelite. Për shkak të veprimeve të këtyre ekstremistëve sionistë, komuniteti i krishterë në Jerusalem po përjeton vuajtje të rënda. Vëllezërit dhe motrat tona janë viktima të krimeve të urrejtjes”, thuhet në artikull.

Patriku Teofili III vuri në dukje se kishat e të krishterëve përdhosen vazhdimisht dhe përballen me akte vandaliste.

“Kleri ynë kërcënohet shpesh. Qëllimi i këtyre grupeve radikale është të shuajnë dritën e komunitetit të krishterë në Qytetin e Vjetër”, vlerëson patriku.

Një grup radikal izraelit po përpiqet të pushtojë dy ndërtesa të mëdha në Portën Jaffa, të cilat i ka shtënë në dorë me rrugë të paligjshme, thotë Teofili III.

Jerusalemi, i cili përbëhet nga një familje besimi me një trashëgimi të gjatë dhe të pashoqe, është “kryeqyteti shpirtëror i botës”, thekson patriku i Jerusalemit dhe shton: “Bukuria e këtij qytetin mbështetet në diversitetin kulturor dhe fetar. Këta radikalë, duke u përpjekur të përjashtojnë të krishterët, përbëjnë ‘kërcënim ekzistencial’ jo vetëm për familjet e krishtera, por edhe për vet Jerusalemin”. /trt