Patriotizmi

Imam Hasan El Bena (r.a) Ylli i thirrësve

Shumë njerëz janë joshur herë nga thirrja për patriotizëm dhe herë të tjera nga thirrja për nacionalizëm, sidomos në vendet e Lindjes, ku popujt e saj ndihen të cënuar nga Perëndimi, – pasi u është cënuar krenaria, fisnikëria dhe pavarësia – i cili ka grabitur pasurinë e tyre dhe ka derdhur gjakun e tyre. Kjo gjë ka sjellë dhimbje të mëdha në këta popujve, të cilët po vuajnë nën zgjedhën e imponuar të Perëndimit dhe po mundohen të shpëtojnë prej tij me çdo lloj force, rezistence, kundërshtimi, lufte apo përpjekjeje. Gjuhët e udhëheqësve të këtyre popujve janë zgjidhur, lumi i gazetave po rrjedh, shkrimtarët po shkruajnë, oratorët po predikojnë dhe propaganduesit po ftojnë në emër të patriotizmit dhe nacionalizmit madhështor.

Kjo është një gjë e mirë dhe e bukur, por jo i mirë dhe jo i bukur është fakti kur mundohesh t`u shpjegosh popujve të Lindjes – pra muslimanëve – se patriotizmi në Islam është më i plotësuar, më i pastër, më i lartë dhe më fisnik se çdo gjë që mund të thuhet për të në fjalimet dhe literaturën europiane. Mirëpo befasohesh nga reagimi refuzues dhe akuzues për verbëri, pasi pjesa më e madhe e njerëzve pretendojnë se Islami dhe patriotizmi janë dy gjëra të ndryshme. Disa njerëz do të mendojnë, se thirrje të tilla do të përçajnë unitetin e popujve (muslimanë) dhe do të dobësojnë solidaritetin mes rinisë. Ky koncept i gabuar është i rrezikshëm për popujt e Lindjes në të gjitha aspektet dhe për shkak të këtij koncepti do të sqaroj pozicionin e “Vëllezërve Muslimanë” dhe misionit të tyre në lidhje me ideologjinë e patriotizmit. “Vëllezërit Muslimanë” e kanë përzgjedhur këtë qëndrim për veten e tyre, madje duan të kënaqin dhe të bindin njerëzit që ta pranojnë atë.

Atdhedashuri

Nëse ithtarët e patriotizmit nënkuptojnë dashurinë për vendin, lidhjen me të, dhembshurinë dhe sensibilizimin për të, nga njëra anë kjo është e natyrshme në zemrat e njerëzve dhe nga ana tjetër është e urdhëruar edhe në Islam. Ne dimë, se Bilali (Allahu qoftë i kënaqur me të) sakrifikoi çdo gjë për besimin dhe fenë e tij duke emigruar nga Meka, mirëpo kur ishte në Medine, rënkonte për Meken dhe thoshte fjalë, që zbusin zemrën dhe pikojnë ëmbëlsi:

“Ah sikur të flija një natë në luginë,

të nuhasja gjineshtrën dhe gjithë ato bimë!

Burimet e Mexhenes t`i shikoja me bisht t`syrit,

e t`rrija rrëzë maleve të Shames dhe Tafilit”.

Një nga emigrantët thoshte në Medine: “Ah sikur një natë të flija në luginën e Khuza`as, aty ku familja më rriti”. Kur i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) dëgjoi Usajl duke përshkruar Meken, i rrodhën lotët, u përmallua dhe tha: “O Esil! Lëri zemrat të qetësohen”.([1])

Liri dhe madhështi

Nëse ithtarët e patriotizmit nënkuptojnë me këtë fjalë (patriotizëm) detyrën për të punuar me të gjitha format për të çliruar atdheun nga grabitësit, për të fituar pavarësinë, për të mbjellë parimet e krenarisë dhe lirisë në zemrat e bijve të popullit, atëherë ne jemi me ta. Islami i ka kushtuar një rëndësi tepër të veçantë kësaj çështjeje. Allahu i Madhëruar thotë: “Në të vërtetë, krenaria është e Allahut, e të Dërguarit të Tij dhe e besimtarëve, por hipokritët nuk e dinë”.([2]) Ai thotë në një ajet tjetër: “Allahu nuk do t`iu japë kurrë rast mohuesve, që t`i shkatërrojnë besimtarët”.([3])

Atdhetarizmi social

Nëse ithtarët e patriotizmit nënkuptojnë me këtë fjalë forcimin e lidhjeve mes banorëve të një vendi dhe orientimin e tyre për t`i përdorur këto lidhje për forcimin e interesave më të dobishme për to, ne i përkrahim, sepse Islami e shikon një gjë të tillë si domosdoshmëri. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Bëhuni robër të Allahut dhe vëllezër me njëri-tjetrin”.([4]) Kurani fisnik thotë: “O besimtarë! Mos zgjidhni për miq dhe këshilltarë të afërt njerëz të tjerë jashtë gjirit tuaj; ata nuk ngurrojnë që t`ju bëjnë dëm. Ata dëshirojnë që të vuani. Urrejtja shfaqet në gjithçka që del prej gojës së tyre, kurse ajo që fshehin në zemrat e tyre, është edhe më e madhe. Ne jua kemi shpjeguar vargjet (e Kuranit), nëse jeni njerëz që kuptoni”.([5])

Atdhetarizmi i lirisë

Nëse ithtarët e patriotizmit nënkuptojnë me këtë fjalë çlirimin e vendeve dhe udhëheqjen e botës drejt lirive dhe vlerave, ta dinë se Islami e ka bërë këtë detyrë, duke i orientuar luftëtarët që të çlirojnë dhe qeverisin vendet në formën më të mirë. Allahu i Madhëruar thotë: “Luftojini ata derisa të mos ketë sprova ndër njerëzimin dhe derisa të mbretërojë bindja vetëm për Allahun”!([6])

Fraksionizmi (polarizimi i shoqërive muslimane)

Nëse ithtarët e patriotizmit synojnë përçarjen e Umetit në grupe të ndryshe rivale të mbushura me urrejtje dhe sharje ndaj njëri-tjetrit, me akuza dhe kurthe, duke përhapur metodologji pozitiviste të formuluara enkas për plotësimin e objektivave dhe qëllimeve të tyre, apo duke i shpjeguar ata sipas interesave personale. Kjo gjë do ta motivonte armikun që ta shfrytëzonte këtë lloj “patriotizmi” në interes të tij, ose për t`i hedhur më shumë benzinë zjarrit, me qëllim që t`i përçajë muslimanët kur bëhet fjalë për të drejtën dhe t`i bashkojë ata për të liga, ose të shkëpusë lidhjet dhe bashkëpunimin mes tyre. Kështu ata (muslimanët) i hapin rrugën vetes për t`u lidhur me të (armikun), për të qëndruar pranë tij, duke ndjerë nevojën për të, duke u bërë vizitor i shtëpisë së tij. Ky patriotizëm është fals dhe nuk ka asnjë mirësi në të as për propaganduesit e tij dhe as për njerëzit e tjerë.

Ti tashmë e ke kuptuar, se ne jemi në krah të atyre që ftojnë për patriotizëm, madje edhe me ata që janë fanatikë dhe entuziastë, por vetëm për aspektet të dobishme të këtij patriotizmi, të cilat pasqyrohen në vende dhe popuj. Është mëse e dukshme, se kjo thirrje e gjerë dhe e gjatë e patriotizmit nuk është gjë tjetër vetëm se një pjesë e mësimeve të Islamit.

Kufijtë e patriotizmit tonë

Në lidhje me konceptimin e patriotizmit, ajo që na ndan me pretenduesit e tij është se kufijtë e patriotizimit tonë janë besimore dhe vlerore islame, ndërsa ata e kufizojnë patriotizmin sipas territoreve dhe kufijve gjeografikë. Çdo cep i tokës, ku muslimani thotë “Lâ ilâhe il-lall-llâh, Muham-med resûlull-llâh”, konsiderohet atdhe për ne. Ky territor është i pacënueshëm dhe i shenjtë, e duam dhe bëjmë përpjekje të sinqerta për mirëqenien e tij. Çdo musliman i këtyre vendeve është pjesë e popullit dhe vëllezërve tanë, ne preokupohemi për të, ndjejmë dhe përjetojmë atë që ndjen dhe përjeton ai.

Ata që propagandojnë patriotizmin ideologjik, nuk kanë këtë konceptim. Atyre u intereson vetëm çështja e një territori të caktuar dhe të ngushtë.

Dallimi praktik mes nesh dhe tyre bëhet mëse i qartë, në rastin kur një popull dëshiron të forcohet në kurriz të një tjetri. Ne nuk e pranojmë këtë për asnjë prej shteteve islame, përkundrazi kërkojmë që të gjithë të jemi të fortë. Nga ana tjetër, propaganduesit fanatikë të patriotizmit nuk e shohin këtë si diçka të gabuar. Mirëpo kështu shkëputen lidhjet, dobësohen fuqitë dhe armiku i përdor këto dobësi, duke i vënë popujt kundër njëri-tjetrit.

Objektivi i patriotizmit tonë

Ithtarët e patriotizmit pozitivist kanë si qëllim të vetëm çlirimin e vendeve të tyre dhe forcimin e tyre nga ana materiale, ashtu siç po vepron Europa në ditët e sotme. Nga ana tjetër, ne kemi bindjen se muslimani e ka për detyrë që të japë jetën, gjakun, dhe pasurinë për ta përcjellë të vërtetën, pra për të udhëzuar njerëzit me dritën e Islamit dhe për të ngritur flamurin e tij në çdo pjesë të tokës, pa pasur si qëllim pasurinë, pozitën, pushtetin dhe as robërimin e njerëzve. Muslimani ka si qëllim të vetëm Allahun e Madhëruar, arritjen e lumturisë në botë nëpërmjet fesë së Tij dhe lartësimin e fjalës së Tij. Kjo e nxiti brezin e parë e të devotshëm të muslimanëve që të arrinin fitore të shenjta që mahnitën botën, ashtu siç dëshmon historia edhe për butësinë, drejtësinë, fisnikërinë dhe virtytet e tyre.

Ndoshta u zgjata pak në këtë çështje dhe ju bezdisa, por e ndjej që qëndrimi duhet sqaruar hollësisht, pasi nuk është arritur të bëhet dallimi mes koncepteve të patriotizmit, megjithëse e kam sqaruar me detaje.

Unë do të mundohem ta përmbledh dhe ta sqaroj me dy fjalë: dije se kur punojmë, ne i përmbahemi zbatimit të urdhërave të Allahut, lartësimit të fjalës së Tij dhe shpresojmë të arrijmë kënaqësinë e Tij. Të tjerët jashtë nesh prej ithtarëve të atdhetarizmit, punojnë në varësi të një ndjenje që kanë në zemër, qoftë kjo ndjenjë e natyrshme apo e sforcuar. Ne përjetojmë dhimbje, ashtu siç përjetojnë edhe ata, mirëpo ne shpresojmë nga Allahu atë që të tjerët nuk e shpresojnë.

Unitet

Para se ta mbyll këtë temë, dua të të tërheq vëmendjen për një pretendim të gabuar dhe të verbër, sipas të cilit ndjekja e këtij parimi, pra parimit tonë, krijon ndasi në popull, pasi njerëzit e këtij populli i përkasin feve të ndryshme. Këtu duhet theksuar se Islami është feja e unitetit, e cila promovon barazinë dhe garanton lidhjet mes të gjithëve, përderisa bashkëpunojnë për të mirën: “Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët”.([7]) Shtrohet pyetja: “Po atëherë nga lind kjo ndasi”?!

Për ne mjafton që njerëzit ta dinë, se jemi njëzëri me fanatikët më të mëdhenj të patriotizmit përsa i përket dashurisë për të mirën e vendit, jemi pro luftës për çlirimin e atdheut, për progresin dhe fuqizimin e tij. Ne punojmë dhe bashkëpunojmë me këdo që ecën në këtë rrugë me sinqeritet, madje dua që ta dish, se nëse misioni i tyre mbaron me çlirmin dhe rikthimin e krenarisë së atdheut, për “Vëllezërit Muslimanë” kjo është vetëm një pjesë e rrugës, ose një nga fazat e saj, por pas kësaj mbetet që të punojnë për të ngritur flamurin e atdheut islam në çdo cep të tokës, duke lartësuar kështu flamurin e Kuranit në çdo vend.

Ky është misioni ynë për momentin. Kur ne e bëjmë një punë të tillë, e shikojmë si detyrë islame, ndërsa ata e shikojnë këtë si detyrim kombëtar. Nëse ky është hap i suksesshëm dhe fryt i bashkëpunimit, atëherë fushat e bashkëveprimit me ta për çështje të tjera janë të hapura.

Më lart([8]) të tregova pozicionin tonë për idenë e patriotizmit dhe të sqarova se ne na djeg shpirti për këtë atdhe të dashur dhe kjo ndjenjë është e natyrshme tek ne. Ne i ndjejmë me zemër, me ndjenja dhe me shpirt përgjegjësinë dhe detyrimet ndaj atdheut. Ne kemi bindje të sigurtë, se mbrojtja e çdo pëllëmbe toke të atdheut tonë është detyrë islame, për të cilën do të na pyesë Allahu i Madhëruar. Të sqarova gjithashtu, se ne e kuptojmë patriotizimin në kuptimin e tij më të plotë: çdo tokë në të cilën ka një musliman, i cili thotë “Lâ ilâhe il-lall-llâh, Muham-med resûlull-llâh” është atdheu ynë, i cili i meriton këto të drejta dhe karshi tij na dalin detyrime.

Autor: Hasan El-Bena

Përktheu: Rushit Musallari

([1]) – Hadith i dobët. “El-Isâbe fî Temjjîzi`s-Sahâbe”, (1/93), nr (214).

([2]) – Kurani: Munafikun, ajeti: 8.

([3]) – Kurani: Nisa, ajeti: 141.

([4]) – Hadith i vërtetë. Muslimi (2564), Ibn Maxhe (3933) dhe Ahmedi (2/277).

([5]) – Kurani; Ali Imran, ajeti: 118.

([6]) – Kurani; Bekare, ajeti: 193.

([7]) – Kurani: Mumtehine, ajeti: 8.

([8]) – Revista “El-Ikhuânu