Për vetëm tre muaj, Kosova importoi mbi 62 milionë euro mallra nga Serbia

Republika e Kosovës vazhdon të varet ende nga importi i madh prej vendeve të huaja.

Republika e Kosovës vazhdon të varet ende nga importi i madh prej vendeve të huaja.

Këtë e dëshmon edhe vlera vjetore e importit, duke marrë parasysh se vetëm gjatë vitit 2021, Kosova ka importuar mbi 3 miliardë euro mallra, shkruan lajmi.net.

Në anën tjetër, vetëm në katër muajt e parë të vitit 2022, Kosova ka importuar mbi 900 milionë euro mallra nga vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe ato të rajonit.

Vendin e parë sa i përket importit gjatë vitit 2021 dhe 2022 e mbajnë “lëndët djegëse minerale, vajrat minerale dhe produktet e destilimit të tyre, substancat bituminoze dhe dyllet minerale”.

Gjatë vitit 2021, Kosova ka importuar më së shumti mallra nga Gjermania, në vlerë prej rreth 517 milionë euro, duke u pasuar më pas nga Turqia prej së cilës, Kosova ka importuar mbi 410 milionë euro mallra.

Në një përgjigje nga Dogana e Kosovës për lajmi.net, është bërë e ditur se Kosova gjatë vitit 2021 ka importuar nga Serbia mallra me vlerë 164 milionë e 699 mijë e 878.49 euro, duke e radhitur kështu shtetin fqinj në vendin e tetë në listën e vendeve nga ku Kosova ka importuar më së shumti mallra.

Për tre muajt e parë të këtij viti Serbia futi në Kosovë mall në vlerë prej 62 milionë e 383 mijë euro, duke lenë kështu larg vendet tjera të CEFTA-së, me gjithë se Shqipëria po vazhdon ta ndjekë nga pas. Vlera e mallit që u fut në Kosovë nga Shqipëria ka qenë 51 milionë e 901 mijë euro, nga Maqedonia e V, 39 milionë euro, nga Mali Zi, pak mbi 2 milionë euro.

Tregtia për tregtarët si duket nuk po njeh rrezik. Kjo dëshmohet pikërisht në periudhën e agresionit rus ndaj Ukrainës. Në këtë rreth hyjnë edhe tregtarët kosovarë të cilët përgjatë muajit mars kanë importuar miliona euro mallra nga të dyja shtetet, por shumë më shumë nga Rusia.

Pas një rënie të fortë në vitin 2019, kur Kosova zbatoi reciprocitetin me Serbinë që solli pothuajse bllokimin e importeve, në periudhën janar-qershor 2021, fqinji verior gjeti përsëri teren edhe nën qeverinë e Albin Kurtit, dhe kaloi sërish në vend të parë nga rajoni i CEFTA-s, që përfshin Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinën.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, importi më Serbinë nga 1 Janari deri më 31 dhjetor 2021 ka qenë 243 milionë e 466 mijë euro. Shqipëria ka qenë pak më poshtë më shifra, në vlerë prej 238 milionë e 600 mijë euro. Blerjet e mallrave nga Maqedonia e Veriut 176 milionë e 448 mijë euro.

Edhe në vitet tjera, Serbia e pushtoi ngjashëm tregun kosovar me mallrat e saj. Ajo eksportoi 285 milionë e 300 mijë euro në vitin 2014, 368 milionë e 200 mijë në vitin 2015, 382 milionë e 100 mijë në vitin 2016 dhe 387 milionë e 600 mijë në atë 2017.

“Kulmi” u arrit në vitin 2018. Serbia dërgoi e Kosova mori nga atje produkte në vlerë të hiç më pak se 449 milionë e 900 mijë euro – më së shumti prej 2008-s.

Pushtimit ekonomik që Serbia po i bënte tregut të Kosovës për një dekadë (2008 – 2018), hovin ia ndali taksa prej 10% së pari, e pastaj 100% që Qeveria e Kosovës, atëherë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i vendosi produkteve me origjinë serbe dhe atyre boshnjake në fundnëntorin e 2018-s. Shuma totale e dërgesave të saj nga 449 milionë e 900 mijë euro sa ishte në vitin 2018, ra në vetëm 5 milionë e 578 mijë euro në atë 2019.

Taksa zgjati gati një vit e gjysmë deri më 31 mars të 2020-s. Atë, në këtë datë, e hoqi dhe e zëvendësoi me reciprocitet kryeministri i ri që erdhi në pushtet, Albin Kurti. Kjo i paraqiti shumë telashe gjatë mandatit të tij të parë. Në njërën anë, reciprociteti s’po pranohej assesi nga Serbia, e cila e kushtëzoi rinisjen e dialogut me Kosovën, me heqjen e kësaj mase.

Presioni diplomatik i huaj e bëri të vetën. LDK-ja, që ishte në koalicion me VV-në, e prishi ujdinë dhe krijoi një Qeveri të re me AAK-në dhe NISMA-n.

Ndër veprimet e para që mori kryeqeveritari i ri, atë kohë, Avdullah Hoti, ishte heqja e reciprocitetit me Serbinë në qershor të 2020-s. Fqinji verior, dërgoi përgjatë vitit 2020 produkte në vlerë prej 190,980,000 euro