Përballja e Haradinajt me Derallajt: Kush ishte Mehmet pasha i Lidhjes së Prizrenit dhe i Pavarësisë në Vlorë

Pasi Ramushi nuk e la të fliste për paraardhësit e saj, më poshtë mund të lexoni se kush ishte Mehmet Deralla dhe cili ishte roli i tij në kryengritjet e Kosovës, gjithmonë duke ju referuar faqes Wikipedia.

Shkollimi…

Derralla lindi më 1843 në Gradec të Gostivarit të Maqedonisë.

Arsimin fillor e mori në Tetovë, kurse atë të mesëm në Shkup, kurse studimet e larta në Akademinë Ushtarake të Stambollit.

Pas diplomimit do të shërbente për disa vite në një regjiment këmbësorie në Anadoll dhe njëherazi, atij ju dha e drejta për të ndjekur shkollën e lartë të Shtatmadhorisë në Stamboll, që ishte niveli më i lartë i arsimimit ushtarak në Turqi.

Është një ndër protagonistët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare dhe ministër i Luftës në Qeverinë e Përkohshme të Shqipërisë.

Komandant në Prizren…

Falë aftësive dhe shkallës së lartë të përkushtimit në të gjitha detyrat e ngarkuara, Mehmeti që në moshën 35-vjeçare mori titullin e “Pashait”, që nënkuptonte atë të gjeneralit. I graduar kështu me gradën më të lartë të kohës do të niste nga detyrat e reja që do t’i besonte komanda e lartë, fillimisht si komandues xhandarmërie në Bagdad të Irakut dhe, më vonë, në Halep të Sirisë për t’u transferuar më tej në Selanik, i cili në atë periudhë përfaqësonte një nga portet më të rëndësishëm të Perandorisë Osmane në Ballkan.

Prej Selanikut Mehmet Pashë Deralla, do të merrte emërimin në vilajetin e Kosovës për të shërbyer në kryeqendrën e tij, në Shkup për të vijuar më vonë në funksionin e komandantit të qarkut të Prizrenit në të cilin bënte pjesë edhe Tetova, Gjakova dhe Luma.

Pikërisht me këtë detyrë gjeneral Deralla, do t’i jepte fund karrierës si oficer i ushtrisë osmane. Më tej, për të fillon një karrierë tjetër, me një profil të ri. Ai në shenjë proteste hoqi spaletat dhe yjet e gjeneralit të Ushtrisë turke dhe iu përkushtua çështjes kombëtare. Pas këtij momenti gjenerali u vu në dispozicion të Ushtrisë Vullnetare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Këshilltar i Sulejman Vokshit…

Në kohën kur Lëvizja Kombëtare Shqiptare ishte në kulmin e saj, Mehmet Pashë Dërralla u caktua këshilltar i Sulejman Vokshit, i cili bënte detyrën e ministrit të Mbrojtjes të kabinetit qeveritar. Në të njëjtën linjë vazhdon aktiviteti atdhetar i Mehmet Derallës edhe pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit nga ushtria osmane e dërguar nga Stambolli. Prej këtij momenti trishtues, gjenerali Dërralla do të kontribuonte në Lidhjen e Pejës.

Janë përpjekjet e personaliteteve shqiptare të vitit 1899, të cilët në drejtimin e Haxhi Zekës, ndërmorën aksionin për të realizuar atë që nuk mundi ta bënte Lidhja e Prizrenit. Sidoqoftë përballë taborëve osmane, kjo lëvizje detyrohet të dështojë. Në këtë krizë Mehmet Pashë Deralla u kap nga forcat okupatore dhe u internua në shkretëtirat e Irakut prej nga u kthye aty nga viti 1908, falë një amnistie të përgjithshme, që u dha pas kryengritjes xhon-turke.

Refuzimi që i bëri ushtrisë osmane…

Në situatën e mëvonshme Mehmet Derallës, ju ofrua një funksion i lartë në ushtrinë osmane, por ai e refuzoi prerazi, duke vënë në dukje se, tanimë i përkiste tjetër kauze që kishte të bënte me idealin kombëtar.

Dërralla ishte edhe një nga organizatorët e kryengritjeve të mëdha të Kosovës të viteve 1910, 1911 dhe 1912, beteja që kulmuan me atë të verës së vitit 1912, e cila shënoi marrjen e Shkupit, ish- qendrës së vilajetit të Kosovës.

Gjenerali Deralla ishte një nga protagonistët kryesorë të qëndresës shekullore përballë sulmeve serbo-malazeze, të cilat synonin pushtimin e Shqipërisë veriore. Nën komandën e tij, luftëtarët shqiptarë i gozhduan forcat serbe në hapësirën ndërmjet Drinit të Bardhë e Drinit të Zi./tesheshi.com/