Ka përfunduar marshi “Drejtësi, jo politikë” i mbajtur në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Në këtë marsh që u mbajt në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, u kërkua drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.
Drejtësia në Gjykatën Speciale u vlerësuar selektive, ku u tha se po tentohet të barazohet viktima me agresorin.
Në këtë marsh përveç mijëra qytetarëve morën pjesë edhe figura të rëndësishme nga jeta politike, kulturore e fetare.
Marshit ju bashkua edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. I pranishëm ishte Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së në Maqedoninë e Veriut.
Ismail Tasholli nga platforma “Liria ka emër” organizatore e marshit ka thënë se Gjykata Speciale nuk mund të flas në emër të popullit.
Ai ka thënë se kjo gjykatë është selektive.
Tasholli ka thënë se nga Prishtina i dërgojnë mesazh për ish- krerët e UÇK-së se nuk janë vetëm.
“Ne këtu i themi qartë jo në emrin tim, jo në emrin tonë. Drejtësia nuk mund të jetë selektive, e dirigjuar, duhet të jetë e drejtë dhe transparente. Vetëm atëherë mund të flas në emër të popullit.Për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe të tjerët ne kemi një mesazh. Nuk jeni vetëm, keni mbrapa një komb të tërë”, tha ai.
Në marshin e organizuar përkrah ish-krerëve të UÇK-së, ishte edhe e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman.
Krasniqi-Goodman kërkoi lirimin e katërshes së UÇK-së, duke theksuar se ata duhet të lirohen pasi kanë mbrojtur popullin e Kosovës.
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi duhet të lirohen. Ata e mbrojtën popullin e vet, siç bëri gjithashtu Ushtria Çlirimtare e Kosovës,” tha ajo, nën emocionet para një numri të madh qytetarësh të pranishëm.
Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muhamer Ibrahimi, ka thënë se para shumë vitesh në luftë ishin disa djem të rinj që nuk e dinin se do ta prisnin mëngjesin. Por, ka shtuar se kishin besimin e pathyer që një ditë Kosova do të bëhej e lirë.
Ish-luftëtarja e UÇK-së, Shqipe Krasniqi, ka thënë se si sot kurrë më të bashkuar e më të zëshme nuk e ka parë Kosovën.
Ajo ka thënë se në ditën e Pavarësisë nuk janë mbledhur vetëm për të festuar, por për të kujtuar sakrificën e popullit.








