Përkujtohet vrasja Mon Balës dhe Arben Xheladinit

Në 12 vjetorin e vrasjes së Mon Balës dhe Arben Xheladinit, të cilët humbën jetën në protestën e vitit 2007, Lëvizja Vetëvendosje së bashku me familjarë, miq e qytetarë, kanë bërë homazhe tek pllaka përkujtimore e vendosur në shesh. Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se sot janë mbledhur që të kujtojnë jetën dhe veprën e tyre. “Në momentin kur qytetarët mbërritjen këtu, ushtria e UNMIK-ut doli përpara dhe na i bllokuan rrugët, ne e paralajmëruam një protestë paqësore, dhe ajo u kthye në një gjakderdhje. Si pasojë e kësaj e gjetën vdekjen Mon Balaj dhe Arben Xheladini. Ne në këtë ceremoni jemi mbledhur që të kujtojmë edhe një herë jetën e tyre dhe qëllimin politik të protestës së 2007-ës”, tha ai. Ai tha se përveç dëshmorëve të luftës, ka dëshmorë të pasluftës dhe të vullnetit të shoqërisë. “Është e dhimbshme që si vdiqën, po ashtu e dhimbshme është se si nuk gjetën kurrë drejtësi, po ashtu edhe familjarët e tyre, sepse, ne mund të qetësohemi sado pak kur ata që e bënë krimin ndodhen para grilave”, shtoi Konjufca.