Më shumë se 2.500 familje kanë mbetur pa strehë pasi dy lumenj dolën nga shtrati dhe përmbytën disa fshatra në Republikën Demokratike të Kongos, njoftoi një udhëheqës i shoqërisë civile të dielën vonë, transmeton Anadolu.
Shirat e rrëmbyeshëm në provincën Maniema në ditët e fundit shkaktuan përmbytjen e lumit Kongo dhe lumit Ulindi, duke zhvendosur qindra banorë në fshatrat Kasera, Tubila dhe Ulindi, tha Jean-Claude Ngoy, kreu i shoqërisë civile në territorin Punia.
“Të paktën 2.533 familje u prekën pasi shtëpitë e tyre u përmbytën nga ujërat. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve provinciale dhe kombëtare si dhe aktorëve humanitarë për mbështetje”, u tha Ngoy gazetarëve.
Ai tha se përmbytjet shkatërruan gjithashtu infrastrukturën, përfshirë shkollat, objektet shëndetësore dhe burimet e ujit të pijshëm.
Një ekip vlerësimi i përbërë nga autoritete lokale, përfaqësues të shoqërisë civile dhe udhëheqës të komunitetit zbuloi se banorët e prekur mund të përballen me urinë sepse plantacionet e tyre ushqimore dhe pellgjet e peshqve ishin përmbytur, tha Ngoy.







