Përplasje Iran–SHBA në OKB, ndërsa protestat në Iran duket se po zbehen

Përfaqësuesit e Iranit dhe Shteteve të Bashkuara u përplasën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së lidhur me protestat në Iran, në një kohë kur sipas raportimeve situata në terren duket se po qetësohet gradualisht.

Ambasadori i Iranit në OKB, Gholamhossein Darzi, akuzoi Uashingtonin se po “drejton trazirat” në Iran, duke i cilësuar protestat si pjesë e një komploti të huaj. Këto pretendime u hodhën poshtë nga ambasadori amerikan në OKB, Mike Waltz, i cili tha se protestat nuk janë një skenar i jashtëm për t’i paraprirë ndonjë veprimi ushtarak amerikan.

Shtetet e Bashkuara, tha Waltz, qëndrojnë në krah të “popullit të guximshëm të Iranit”, ndërsa presidenti Donald Trump “e ka bërë të qartë se të gjitha opsionet janë në tryezë për të ndalur masakrat”.

“Presidenti Trump është një njeri veprimi, jo i fjalimeve të pafundme siç shohim shpesh në Kombet e Bashkuara. Ai e ka bërë të qartë se të gjitha opsionet janë në tryezë për të ndalur vrasjet,” deklaroi Waltz gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit, e cila ishte kërkuar nga SHBA-të të enjten.

Megjithatë, pas disa ditësh retorike të ashpër, Trump duket se ka adoptuar një qëndrim më të kujdesshëm, duke thënë se është informuar se vrasjet janë në rënie dhe se, sipas tij, aktualisht nuk ka plane për ekzekutime masive.

Waltz theksoi se pretendimet e regjimit iranian për një “komplot të huaj” janë të pabazuara. “E gjithë bota duhet ta dijë se regjimi është më i dobët se kurrë më parë dhe për këtë arsye po përhap këtë gënjeshtër, nga frika e fuqisë së popullit iranian në rrugë. Ata kanë frikë. Kanë frikë nga populli i tyre,” u shpreh ai.

Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, përmes një përfaqësueseje të lartë, bëri thirrje për “përmbajtje maksimale në këtë moment të ndjeshëm” dhe u kërkoi të gjithë aktorëve të shmangin çdo veprim që mund të çojë në humbje të mëtejshme jete apo në përshkallëzim më të gjerë rajonal. /mesazhi