Përshëndetja me dorë e gruas së huaj

Ka kohë që dua ta postoj këtë studim dhe analizë të thellë që i bënë shejh al-Kajsi kësaj teme, për të cilën ka mospajtime ndërmjet dijetarëve islam. Po e përsëris, ka mospajtime rreth së njëjtës, dhe prandaj do duhej që muslimanët të mbrojnë mendimet dhe qëndrimet e tyre të mbështetura në argumente të spjeguara nga dijetarët dhe të mos jenë mohues të mendimeve e qëndrimeve të kundërta, por të mbështetura në argumente dhe të mbrojtura nga dijetarë, jo më pakë se dijetarët që ndjek njëri, apo grupi tjetër.

Çorodia dhe çmenduria më e madhe në mesin tonë po ndodh, kur për çështje dhe tema në të cilat ka pasur dhe ka mendime të ndryshme të dijetarëve (jo injorantëve), ne insistojmë dhe këmbngulim t’i bindim të gjithë muslimanët në mendimin dhe qëndrimin tonë! Për më keq, i shpallim bidatxhinjë, të devijuar dhe çka jo tjetër, nëse mbrojnë të njëjtim mendim me ne!

Mësohuni me mendimin ndryshe dhe duhuni për Allah, e mos ia bëni qefin Shejtanit të mallkuar, siç po ia bëjnë disa!

—————–

Përshëndetja me dorë e gruas së huaj

Shejh Abdullah al-Kaysi

Ka një parim të rëndësishëm në jurisprudencën islame, i quajtur “istishab” (gjërat në esencë janë të lejuara), që do të thotë: origjina e çdo gjëje është lejueshmëria (e lejuar), përveç nëse ka dëshmi të qartë për ndalesën. Kjo zbatohet veçanërisht në marrëdhëniet dhe ndërveprimet njerëzore (muamelat). Kështu, nëse nuk ka provë të qartë për ndalimin e një veprimi, ai konsiderohet i lejuar. Dhënja e dorës hyn në këtë kategori – prandaj, ai që lejon një veprim nuk ka për detyrë të sjellë dëshmi, por ai që e ndalon duhet të sjellë prova të qarta për ndalesën.

Prandaj, në këtë shkrim do të shqyrtoj argumentet e atyre që ndalojnë dhënjen e dorës grave të huaja dhe do të shohim sa të forta janë. Më pas, do të përmend dëshmi nga jeta e Pejgamberit a.s që mbështesin mendimin se kjo nuk është e ndaluar.

Argumenti i parë: Mbyllja e rrugëve që çojnë në të keqe (sad al-dhara’i)

Ata që e ndalojnë bazohen në parimin që çdo veprim që mund të çojë në haram, siç është kurvëria, duhet të ndalohet – dhe sipas tyre, prekja e një gruaje mund të nxisë epshin, që çon në haram. Por ky mendim është ndërtuar mbi shikimin e gruas vetëm si objekt seksual, jo si njeri. Si rrjedhojë, është kërkuar që ajo të izolohet plotësisht. Kjo qasje ka sjellë shumë padrejtësi ndaj grave. Parimi i mbylljes së rrugëve është i vlefshëm vetëm kur e keqja që pritet është e sigurt, jo thjesht e imagjinuar ose e dyshimtë. Shumë dijetarë, si Ibn Hazm, e kanë kundërshtuar zgjatimin e tepruar të këtij parimi. Në rastin e dhënjes së dorës, është absurde të thuash se çdo dhënje dore çon në epsh ose mëkat. Sidomos kur e dimë se dhënja e dorës zgjat vetëm një ose dy sekonda dhe është shpesh simbolike.

Argumenti i dytë: Përmendja e mosdhëmjes së dorës nga Pejgamberi a.s në rastin e betimit të grave

Disa argumentojnë se kur gratë i dhanë besën Pejgamberit a.s, ai nuk ia dha dorën asnjërës prej tyre, siç ka thënë Aishja: “Për Zotin, dora e tij nuk preku dorën e ndonjë gruaje gjatë betimit”. Por ky argument, siç e shpjegon edhe Dr. Jusuf el-Karadawi, nuk është i vlefshëm për dy arsye:

1. Mosveprimi i Pejgamberit a.s nuk do të thotë ndalim. Ai mund të mos bëjë diçka për arsye personale, për modestinë e tij, për të treguar më të mirën, apo edhe për shkak se nuk e preferon – por kjo nuk e bën atë vepër të ndaluar. Si shembull është rasti i tij me mosngrënjen e mishit të hardhucës (dhabb), që e la pa e ndaluar.

2. Ka hadithe të tjera që tregojnë se Pejgamberi a.s ka marrë dorën e grave, si p.sh. transmetimi nga Ummu Atiyya, që tregon se ato zgjatën duart drejt Profetit kur ai i mori në besë. Po ashtu, Ibn Haxheri ka përmendur mundësinë që betimi të ketë ndodhur në disa raste, dhe ndonjëherë pa dorë dhe ndonjëherë me dorë. Kështu që, nuk ka konsensus që ai nuk merrte dorën e grave, dhe nuk është provë për ndalesë.

Argumenti i tretë: Hadithi që ndalon prekjen e grave që nuk janë të lejuara

Hadithi: “T’i futet një gjilpërë prej hekuri në kokë dikujt është më mirë se sa të prekë një grua që nuk i lejohet.” Ky hadith është transmetuar nga Taberani dhe Bejhaki, por:

1. Nuk është i saktë sipas shumicës së dijetarëve të hadithit – është i dobët ose me ndërprerje zinxhiri. S’mund të mbështetesh në të për ndalim.

2. Disa shkolla juridike si Hanefitë dhe disa Malikij nuk e pranojnë ndalimin përveç nëse ka prova të sigurta dhe të forta, si Kur’ani ose hadithe mutewatir.

3. Edhe nëse pranohet hadithi si i saktë, fjala “mess” (prekje) në Kur’an dhe në gjuhën arabe shpesh është metaforë për marrëdhënie intime, jo thjesht kontakt fizik, siç e ka shpjeguar edhe Ibn Abbasi dhe Ibn Tejmijje.

4. Nëse kjo “prekje” do të ishte e ndaluar, do të përfshinte edhe gratë e moshuara apo fëmijët, por dijetarët e kanë lejuar dhënjen e dorës atyre.

5. Kjo tregon se ndalimi nuk është absolut.

6. Hadithi nëse merret fjalë për fjalë, jep një ndëshkim më të rëndë për prekjen se për kurvërinë vetë – që është e pakuptimtë dhe në kundërshtim me drejtësinë hyjnore, gjë që e bën tekstin të dyshimtë.

Dëshmi që mbështesin lejueshmërinë:

1. Nga Sahih Buhari, Enesi ka thënë: “Një shërbëtore në Medine e kapte Pejgamberin a.s për dore dhe e çonte ku të donte”. Kjo është një prekje e drejtpërdrejtë, dhe nuk ka asnjë shenjë që Pejgamberi a.s e ka ndaluar. Ata që thonë se kjo është metaforike, e bëjnë këtë pa asnjë dëshmi. Origjina e kuptimit është gjithmonë e drejtpërdrejtë për sa kohë nuk ka arsye për ta interpretuar ndryshe.

2. Gratë në kohën e Pejgamberit a.s merrnin pjesë në luftëra, ndihmonin në mjekimin e të plagosurve, dhe i preknin trupat e burrave në zona të ndryshme të trupit për shkak të plagëve. Kjo përfshinte kontakt më të gjatë dhe më të drejtpërdrejtë se sa një shtrëngim duarsh, dhe asnjë nuk e ndaloi ose e quajti si “rrethanë të domosdoshme”.

Përfundim:

Dhënja e dorës një gruaje nuk është në vetvete e ndaluar, ndërsa ndalimi i saj mbështetet në argumente të dobëta ose të interpretuara jashtë kontekstit. Ndalimi në këtë çështje ngarkon njerëzit me vështirësi të panevojshme, dhe Islami ka ardhur për ta lehtësuar jetën e njerëzve, jo për ta vështirësuar.

Hoxhë Husamedin Abazi