Qindra gra kanë dalë në rrugët e Limës për të marshuar kundër dhunës gjinore, duke kërkuar barazi dhe njohje të të drejtave të tyre në prag të Ditës ndërkombëtare të gruas.
Me pankarta dhe me shamia të gjelbra në duar – simbole të luftës feministe në kontinentin e Amerikës Latine – protestueset kanë kërkuar nga Qeveria që ta shpallë emergjencë kombëtare luftën kundër dhunës gjinore.
Sipas të dhënave të avokatit të popullit të Perusë, nga janari deri në dhjetor të vitit të kaluar, janë raportuar rreth gjashtë mijë raste të zhdukjes së vajzave, adoleshenteve dhe grave. 146 raste kanë përfunduar me vrasje të grave derisa në 39 raste të tjera, dhuna ndaj grave ka rezultuar me vdekje. Në 123 raste është raportuar për tentim vrasjeje të grave. Gjendja është përkeqësuar edhe më shumë gjatë pandemisë. /koha




