Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se vendi i tij do të përmbahet nga sulmet ndaj shteteve fqinje, përveç nëse sulme kundër Iranit nisen nga territori i tyre, transmeton Anadolu.
“Këshilli i përkohshëm i udhëheqjes njoftoi dje se nuk do të ketë më sulme ndaj vendeve fqinje dhe as lëshime raketash, përveç nëse sulmet ndaj Iranit vijnë nga ato vende”, tha Pezeshkian në një fjalim televiziv drejtuar popullit iranian.
Siç raportoi televizioni shtetëror Press TV, ai gjithashtu kërkoi falje ndaj vendeve fqinje mes rritjes së tensioneve rajonale, duke theksuar se Irani “nuk ka asnjë qëllim të pushtojë vende të tjera”.
Pezeshkian hodhi poshtë gjithashtu pritjet se Irani do të dorëzohet pa kushte, duke u shprehur se ata që ushqejnë shpresa të tilla “do t’i marrin ëndrrat e tyre në varr”.
Irani më 28 shkurt lëshoi raketa dhe dronë drejt Izraelit dhe vendeve të Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane. Disa nga sulmet kanë shkaktuar viktima dhe dëme në objekte civile, përfshirë porte dhe ndërtesa banimi.
Teherani thotë se sulmet erdhën si përgjigje ndaj një fushate ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit që ka vrarë qindra njerëz, përfshirë liderin suprem Ali Khamenei dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.





