Plagët që i shkaktoi enverizmi ende po qelben

Nexhmedin Spahiu

Pas takimit me Adnan Peshkopinë tashmë nuk kisha asnjë dilemë se çdo gjë që kishte promovuar Enver Hoxha ishte e keqe, madje edhe ato gjëra që dukeshin mirë në shikim të parë kishin një hile prapa. Nuk lodhesha më për të vërtetuar nëse gjerat që kishte bërë Enver Hoxha ose enverizmi ishin mirë apo keq, por merresha vetëm me të kundërtat e tyre dhe hilet pas tyre.

Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë

Në korrik të vitit 1991, Ridvan Peshkopia më ftoi të flija në shtëpinë e tij. Më shërbeu si busull e veprimtarisë sime në vitet që pasuan, ajo çfarë gjatë asaj mbrëmjeje më tregoi babai i tij Adnani, i biri i nacionalistit të famshëm, Nexhat Peshkopia, i ikur nga regjimi komunist.

E pyeta Adnan Peshkopinë se sa mund të ishte numri i viktimave të enverizmit në Shqipëri? Më tha: nuk ishte me rëndësi sasia po cilësia. E çfarë ishte sasia e çfarë cilësia? Po ja, shifra e deklaruar prej 28 mijë dëshmorëve, nuk ishte e rastësishme. Kaq mund të ishte shifra e viktimave gjatë luftës civile (1943-1944) shtuar këtu viktimat e synuara deri në vdekjen e Enver Hoxhës.

Por, 28 mijë viktima në një popullsi prej 1 milion banorëve nuk është katastrofë aq e madhe! Mund të binte një termet i madh e ta rrafshonte një qytet të tërë. Kjo do të ishte një tragjedi kombëtare, por jo edhe një katastrofë kombëtare e përmasave çfarë solli enverizmi në Shqipëri. Puna është se viktimat e enverizmit në Shqipëri ishin njerëzit dhe familjet më të vlefshme për kombin. Tërmeti vret njerëz të rastësishëm: shkencëtarë, artistë, punëtorë, zanatlinj, të papunë, hajdutë, kriminelë etj. Por, viktimat e enverizmit nuk ishin si viktimat e një tërmeti, ishin njerëz dhe familje të përzgjedhura, ishin ajka e kombit. Por, as me kaq nuk përfundon katastrofa kombëtare shqiptare – po më thoshte Adnan Peshkopia. Ne mund të konkludojmë për viktimat e enverizmit se ja që do të jetonin edhe 10, 20, 30, 40, 50 apo edhe 60 vite, dhe sigurisht gjatë këtyre viteve do të vazhdonin ta jepnin kontributin e tyre të vyer, por më në fund do të vdisnin se askush nuk jeton gjithmonë. Por, katastrofa kishte përmasa edhe më të mëdha, ngase u ndaluan veprat e tyre, shpirti i kombit u varfërua. Por as edhe kjo nuk ishte dimensioni i fundit dhe më tragjiku i katastrofës shqiptare. Dimensioni më tragjik i katastrofës shqiptare – vazhdoi Adnan Peshkopia – ishte fakti se vlerat u zëvendësuan me antivlera. Jo vetëm që u ndalua, ta zëmë, Gjergj Fishta (e shumë e shumë të tjerë) e iu dhunua kufoma e iu ndaluan veprat e tij madhore, po më e keqja ishte se shëmbëlltyra e tyre u bë një model që nuk duhet ndjekur, për më tepër që duhet luftuar. Pra, nuk u luftua vetëm Gjergj Fishta e vepra e tij, por edhe gjergjfishtat e palindur akoma. Ky është dimensioni më tragjik i katastrofës shqiptare ose dimensioni më katastrofal i tragjedisë shqiptare – përfundoi Adnan Peshkopia.

Nga ky shpjegim i Adnan Peshkopisë unë konkludova se ne nuk mund të ngjallnim viktimat e enverizmit, por sa më herët që do të hiqnim dorë nga antivlerat dhe do t’i ktheheshim vlerave, katastrofa jonë do të merrte fund. Madje, edhe isha më optimist se sa do të tregonte realiteti i mëvonshëm. Këto viktima të shumta, burgje e internime të gjata do të kthehen në fuqi shpirtërore kombëtare për kohën e humbur – e ngushëllova Adnan Peshkopinë. Por, ai më pa me skepticizëm. Ndoshta do të mund t’i kthehemi vlerave si komb, por nuk e besoj se do të mund ta kemi më kurrë atë fuqi e atë elan sikur të mos të na ndodhte kjo katastrofë – ma ktheu Adnan Peshkopia. Ndërkohë mua m’u kujtua një futbollist që kishte thyer këmbën dhe pas disa kohe ai ecte normal, por karriera e tij e shkëlqyeshme në futboll tashmë kishte përfunduar.

Sidoqoftë, fjalët e Adnan Peshkopisë m’u përputhën me atë që gjyshi im m’i kishte ngulitur në kokë që nga fëmijëria, por nuk kishte qenë në gjendje t’i artikulonte kaq shkencërisht sa Adnani. Gjyshi im mjaftohej me atë se Enver Hoxha ishte i pa fe dhe ishte “më shka se shkau” dhe për të kjo nuk kishte se ku të shkonte më keq.

Më kujtohet një ndodhi e kohës para se të futesha në shkollë fillore. Disa kushërinj të mi studentë dhe mësues (kolegë të axhës tim) ishin mbledhur në odën e madhe të njërit nga kushërinjtë dhe po këndonin këngë për Enver Hoxhën. Gjyshi im, që ndodhej në lëndinën afër, kur dëgjoi emrin Enver Hoxha shkoi me vrap dhe u bërtiti. Ua mori fotografinë e Enver Hoxhës dhe ua futi në stufë zjarri. “Doni me ia ba qefin shkaut. Tita është qen i madh, po Enver Hoxha është klysh tij, është ma qen se qeni”, i qortoi gjyshi im.

Pas takimit me Adnan Peshkopinë tashmë nuk kisha asnjë dilemë se çdo gjë që kishte promovuar Enver Hoxha ishte e keqe, madje edhe ato gjëra që dukeshin mirë në shikim të parë kishin një hile prapa. Nuk lodhesha më për të vërtetuar nëse gjerat që kishte bërë Enver Hoxha apo enverizmi ishin mirë apo keq, por merresha vetëm me të kundërtat e tyre dhe hilet pas tyre. Pohimet e historianëve enveristë i konsideroja të gjitha gënjeshtra dhe fillova të hulumtoj të vërtetat. Natyrisht, të vërtetat nuk mund t’i gjeje vetëm duke supozuar të kundërtën e pohimeve të enveristëve. Ndonjëherë edhe po. Nëse Enveri kishte qenë më i keqi, kush do të ketë qenë më i miri? Këtu ishte më e lehtë. Kë kishin më tepër inat enveristët, ai me siguri do të ishte personazhi më pozitiv i historisë? Hulumtova se për cilin? Ahmet Zogun, Mithat Frashërin, Mustafa Krujën, Xhafer Devën? Rezultati: Xhafer Deva. Çfarë koincidence. Edhe gjyshi im më thoshte se pikërisht Xhafer Deva kishte qenë burri më i mirë.

Hulumtimet e mia zgjeroheshin dita me ditë sa më shumë që zbuloheshin faktet e reja. Botoheshin memoare të personaliteteve të rëndësishme, libra të ndaluar, fakte, dëshmi. Mozaiku vetëm plotësohej dhe asnjë fakt i vetëm nuk e kundërshtonte atë për çfarë tashmë kisha krijuar mendim.

Zbulova se jo vetëm se autorët më të mirë shqiptarë ishin ndaluar po edhe ata që kishim mësuar në shkollë i kishim mësuar të censuruar, përfshi Vaso Pashën, Naim Frashërin, Sami Frashërin, Asdrenin etj., të cilëve u ishin censuruar pjesët më të mira. Ajo që më tmerroi më së shumti ishte se si enverizmi ishte lejuar në Kosovë nga shteti jugosllav, edhe pse raportet mes Titos e Enverit ishin acaruar që më 1948. Por, vallë, çfarë mund t’u bënte Beogradi shqiptarëve në ish Jugosllavi më keq se sa t’ua lëshonte në qafë Tiranën e Enver Hoxhës?! Prapë më kujtohej gjyshi im që thoshte se “Enveri ishte më i keq se Tita”.

Propozova që himnit kombëtar shqiptar t’i shtohej strofa e parafundit e censuruar që nga 1945:

“Se Zoti vetë e tha me gojë,

Se kombet shuhen përmbi dhe,

Po Shqipëria do të rrojë,

Për të, për të luftojmë ne.”

Kjo u pat diskutuar në Parlamentin e Shqipërisë dhe unë kaherë kam menduar se ishte miratuar, por në ueb-sajtin e Presidencës së Shqipërisë himni akoma figuron pa këtë strofë, që është më e rëndësishmja.

Në Kosovën e pasluftës, sapo u takova me ministrin e Arsimit të UNMIK-ut, një profesor i racës së bardhë nga Afrika e Jugut, e binda se tekstet shkollore të historisë, letërsisë, edukatës qytetare dhe muzikës duhet të pastrohen nga enverizmi. Ia dokumentova këtë dhe ai u tregua i gatshëm që të vepronte, por papritur mandati i tij u ndërpre dhe pasardhësi i tij, një profesor gjerman, Michael Daxner, ishte një kalkulant politik, i cili tërë kohën më mbajti afër, madje edhe më emëroi nënkryetar të bordit drejtues për themelimin e dy fakulteteve: atë të shkencave politike dhe atë të gazetarisë (kryetare ishte një profesoreshë holandeze), por pastrimi i teksteve nga enverizmi nuk ndodhi. Më pas, në Kosovë u emëruan ministrat vendorë dhe, natyrisht, pastrimi i teksteve nuk ndodhi.

Kur ambasadorja e Bashkimit Evropian, Natalija Apostolova, mbajti një ligjëratë para studentëve të mi, e habitur nga pyetja e një studenteje, më kërkoi të dinte se nga buronte një mendësi e tillë. I tregova se nxënësit tanë, fatkeqësisht, akoma helmohen me enverizëm dhe se zyra e Bashkimit Europian do të duhej të përfshihej që tekstet shkollore në Kosovë të pastrohen nga enverizmi. Ishte dakord dhe më caktoi takim me zyrtarin e Bashkimit Europian të ngarkuar për çështjet e arsimit në Kosovë. U takova me të dhe i sqarova problemin për rreth dy orë. Fatkeqësisht, ai qëlloi të jetë grek dhe kur e kuptoi se ku qëndron problemi, i shkëlqenin sytë nga gëzimi që puna qenkësh aq keq. Më premtoi bashkëpunim për ta rregulluar këtë gjë, por nuk u bë më i gjallë.

Nxënësit dhe studentët tanë, edhe në dekadën e tretë të shekullit XXI, vazhdojnë të helmohen me enverizëm.

Po e pyesja një mësuese të re të historisë nga një familje e persekutuar në Shqipëri se si ua shpjegon nxënësve të vet Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri. Po më thoshte se partizanët luftuan për liri, ndërsa ballistët e zogistët ishin bashkëpunëtorë të nazifashistëve. E pyeta se si ua shpjegon nxënësve faktin se Mbreti Zog vdiq në Paris e jo në Romë apo Berlin apo pse Mit’hat Frashëri vdiq në Amerikë e jo në Itali apo Gjermani? Ajo ngeli e habitur. Po mirë – i thashë – prindërit e tuaj a kanë qenë tradhtarë që i ka persekutuar “kryeçlirimtari” Enver Hoxha apo çka? Jo – më tha – por Enveri “devijoi” pas luftës. Ja, pra, kjo është historia që u servohet shqiptarëve gjeneratë pas gjenerate.

Kur po organizoja akademinë përkujtimore për 44-vjetorin e vdekjes së Xhafer Devës, dhe kur po përpiqesha që t’i bindë liderët politikë të merrnin pjesë në këtë ngjarje, disa nga liderët politikë më morën në telefon dhe kërkuan falje që nuk do të mund të marrin pjesë në këtë manifestim pasi kishin frikë se u largohen nga partia enveristët që kanë brenda në parti. Kur u thosha se çfarë u duhen enveristët në parti kur nuk tërheqin shumë vota, më thoshin se nuk tërheqin vota, por mund të bëjnë shumë sherr.

Shqipëria zyrtare akoma e mban për ditë çlirimi ditën e ardhjes së komunistëve në pushtet. Emra terroristësh komunistë emërtojnë rrugë e sheshe e institucione në mbarë Shqipërinë. Në Prishtinë, ku rrugët mbajnë edhe emra si Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica e Mustafa Kruja (që nuk mund t’i gjesh në Shqipëri), ka dhe emra terroristësh, si Vojo Kushi, por edhe emra si Omer Nishani, që në cilësinë e Presidentit të Shqipërisë shpalli Aleksandar Rankoviqin hero të popullit shqiptar.

Kësisoj, plagët që enverizmi ia shkaktoi kombit shqiptar ende qelben. Për më tepër, këto plagë akoma më shumë qelben në Kosovë, në trupin e kombit të posalindur, por qelben edhe tek komunitetet shqiptare në Maqedoni të Veriut, Mal të Zi e Luginë të Preshevës.

Do të duhet që rastësia ta nxjerrë në krye një lider politik të ndriçuar në Kosovë ose në Shqipëri që t’ua ndalë qelbin këtyre plagëve, ta flakë enverizmin nga tekstet shkollore, të nxjerrë ligj për dënimin e krimeve të komunizmit, ta shpallë 29 Nëntorin e vitit 1944 ditë zie për Shqipërinë, të nxjerrë ligj identik me ligjin gjerman, ku fjala Adolf Hitler, do të zëvendësohet me fjalën Enver Hoxha dhe ku fjala nazizëm të zëvendësohet me fjalën enverizëm. Kur do të ndodhë kjo? Një Zot e di. Detyrë e intelektualëve e patriotëve është që me punën e përkushtimin e tyre ta afrojnë këtë ditë.

* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të portalit tonë *