Podujeva ndalon përdorimin e telefonëve nga nxënësit dhe mësimdhënësit

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka njoftuar se që nga data 1 shkurt, do të ndalohet posedimi i telefonit gjatë procesit mësimor.

Ai tha se kjo vlen për të gjithë nxënësit, mësimdhënësit, stafin profesional dhe punëtorët e tjerë në institucionet arsimore para universitare, shkruan lajmi.net.

Rreth zbatimit të këtij vendimi, do të kujdesen Drejtoria e Arsimit dhe Drejtorët Institucioneve arsimore në Podujevë.

Në njoftimin e plotë thuhet:

Bazuar në udhëzuesin nr. 20/2018 të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit sot kam marrë vendim për ndalimin e posedimit të telefonit gjatë procesit mësimor nga nxënësit, mësimdhënësit, stafi profesional dhe punëtorët tjerë në mjediset – ambientet e institucioneve edukative-arsimore para universitar në Komunën e Podujevës. Për zbatimin e këtij vendimi do të kujdesen Drejtoria e Arsimit dhe Drejtorët e institucioneve të arsimit para universitar. Vendimi hyn në fuqi nga data 1 shkurt 2024. /