Policia e Kosovës shpërndan fletushka informuese për targat RKS në komunat veriore

Policia e Kosovës ka nisur shpërndarjen e fletushkave informuese lidhur me vazhdimin e afatit për konvertimin e targave ilegale në ato RKS dhe mundësitë dhe lehtësirat që ofrohen.

Fletushkat do të shpërndahen në katër komunat veriore.

Më 30 tetor, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që pronarëve të automjeteve me denominimet “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, t’ua shtyjë afatin për riregjistrim në targa RKS, me benefite financiare, deri më 1 dhjetor të vitit 2023.

Qeveria ka thënë se është zgjatur afati pas kërkesave të mëdha së fundi për regjistrim të automjeteve me targa RKS. Me vendimin e 28 tetorit të vitit të kaluar afati ishte deri më 21 prill të këtij viti.

Vendimi i ri, parasheh që pas datës 1 dhjetor 2023, pronarët e mjeteve të pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri me datë 21 prill 2022, nuk do të kenë më mundësinë që këto mjete t’i regjistrojnë me targa RKS, të hyjnë apo të qarkullojnë në dhe përmes territorit të Republikës së Kosovës, është thënë nga Qeveria.