Policia e Pakistanit tenton të arrestojë ish-kryeministrin Imran Khan

Zyrtarët nga Policia e Islamabadit shkuan në rezidencën e ish-kryeministrit të Pakistanit në Lahore në lidhje me akuzat për blerjen dhe shitjen e supozuar të paligjshme të dhuratave të marra nga personalitete të huaja kur ai ishte kryeministër, mirëpo ai nuk u gjet në shtëpi.

Kjo erdhi pasi të martën, një gjykatë në Islamabad lëshoi një urdhër arresti pa kusht për ish-kryeministrin për shmangien e seancave në lidhje me akuzat e mësipërme. Khan i ka mohuar akuzat.

Khan u hoq nga pushteti në prill të vitit të kaluar pasi humbi një votëbesim parlamentar dhe po përballet me dhjetëra raste kundër tij, duke filluar nga “terrorizmi” deri te korrupsioni.

Të dielën, zyrtarët e policisë, të cilët kishin udhëtuar nga kryeqyteti Islamabad, u panë jashtë hyrjes së rezidencës së Khan’s Zaman Park në qytetin lindor të Lahore.

Mbështetësit e Khan dhe anëtarët e partisë së tij Pakistani Tehreek-e-Insaaf (PTI) u mblodhën në qindra për të protestuar kundër arrestimit të kreut të partisë së tyre.

Në nëntor të vitit të kaluar, ish-kapiteni i kriketit 70-vjeçar u qëllua në këmbë kur kolona e tij e protestave antiqeveritare u sulmua në qytetin e Wazirabad.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme i Pakistanit, Shah Mahmood Qureshi, ka akuzuar qeverinë e tanishme të Shehbaz Sharif duke thënë se një komplot po krijohet për të shënjestruar Imran Khan dhe se ekziston një kërcënim për jetën e tij.