Ballina Lajmet Kosovë Policia me plan operativ për 18-vjetorin e Pavarësisë, disa rrugë do të...

Policia me plan operativ për 18-vjetorin e Pavarësisë, disa rrugë do të mbyllen përkohësisht

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka hartuar planin operativ me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë.

PK ka bërë të ditur se ky plan është bërë për të siguruar që mbarëvajtja e evenimenteve manifestuese të kalojnë në mënyrë të qetë e festive, duke iu mundësuar qytetarëve të Republikës së Kosovës që të festojnë ditën e pavarësisë së vendit.

“Qëllimi i planifikimeve operative policore përmes këtij urdhri të veçantë operativ ndër të tjera është: mbajtja e rendit, qetësisë publike dhe zbatueshmëria e ligjit, shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike në vend,ofrimi i sigurisë së shtuar, para, gjatë dhe pas zhvillimit të aktiviteteve dhe manifestimeve të ndryshme të organizuara nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës,ngritja e nivelit të përgjegjësisë policore në monitorim, reagim dhe veprime konform zhvillimit të situatës, për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët gjatë zhvillimit të aktiviteteve manifestuese në gjithë vendin”, ka njoftuar Policia.

Sipas njoftimit në disa segmente rrugore të kryeqytetit do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut rrugor.

“Ndërprerja e qarkullimit të trafikut pritet të fillojë nga ora 07:00 në rrugët operacionale, rruga Fehmi Agani, rruga Luan Haradinaj, rruga Kostra Novakoviq, rruga Tiranës – hekurudhës në kthim njëra korsi, si dhe rruga Robert Doll njëra korsi për parkimin e autobusëve dhe kamionëve për personelin e PK-së dhe FSK-së”, thuhet tutje.