Policia ka publikuar fotografitë e tre personave të dyshuarve për grabitje me qëllim që të mundësohet arrestimi i tyre.
“Një operacioni i gjerë policor i shtrirë në kuadër të rajonit të Prishtinës, duke përfshirë edhe qytete të tjera të Kosovës, është realizuar sot në orët e mesditës me ç’ rast janë arrestuar pesë persona të dyshuar, për të cilët ekzistojnë baza të dyshimit që sugjerojnë se të njëjtit mund të jenë të përfshirë në raste të ndryshme të grabitjeve të ndodhura në kohë dhe vende të ndryshme të rajonit të Prishtinës si dhe më gjerë”, thuhet në njoftimin e Policisë, raporton lajmi.net.
Konform kompetencave policore në kuadër të këtij operacioni, me autorizim të prokurorit të shtetit, janë kryer edhe bastisje në disa lokacione, ku policia ka gjetur dhe sekuestruar: Një revole, Disa vetura, të cilat dyshohen të jenë të përdorura apo të përfituara në forma të inkriminuara në rastet, të cilat po hetohen nga ana e policisë, si dhe gjësende të tjera të cilat mund të shërbejnë si dëshmi dhe prova të rëndësishme në procedurë.
Policia e rajonit të Prishtinës, ka njoftuar se operacioni është duke vazhduar, personat e arrestuar do të procedohen më tej varësisht nga rekomandimet e prokurorit të shtetit.
Përfundimi i operacionit të djeshëm lidhur me arrestimin e të dyshuarve për grabitjet e ndodhura në rajonin e Prishtinës ka rezultuar me arrestimin e gjashtë të dyshuarve, raporton lajmi.net.
Të arrestuarit janë: Xh. Sh 50-vjeçar, F.G 42-vjeçar, L. Sh, 21-vjeçar, I. A 20-vjeçar, A. H 35-vjeçar, F.C 27-vjeçar që të gjithë shtetas të Kosovës.
Sipas policisë të gjithë këta të arrestuar me rekomandimin e prokurorit të shtetit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për të vazhduar më tej në procedurë hetimore.
Përgjatë operacionit policia ka sekuestruar në cilësi të provës materiale edhe një (1) revole, trembëdhjetë (13) veturave të llojeve të ndryshme, dy (2) motoçikleta, Dy (2) laptopë, dhjetë telefona celularë, çelësa veturash, dokumentacione të ndryshme, kartela bankash, si dhe gjësende të ndryshme të cilat mund të shërbejnë si dëshmi dhe prova të rëndësishme në procedurë.
“Bazuar në rezultatet e hetimeve që po zhvillon policia, pasi që ka identifikuar i ka futur në kërkim policor tre të dyshuar për të cilët ekziston dyshimi i arsyeshëm se të njëjtit mund të jenë të implikuar në rastet e grabitjeve që po hetohen. Këta të dyshuar, konsiderohen me rrezikshmëri të lartë dhe aktualisht gjenden në arrati në përpjekje për t’iu shmangur arrestit policor”, thuhet në njoftimin e Policisë, shkruan më tutje lajmi.net.
Andaj për ta ndihmuar lokalizimin e vendndodhjes së tyre si dhe për ta mundësuar kapjen e tyre policia kërkon bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve që çdokush që ka informacion për ta, t’ia kaloj ato policisë përmes linjave emergjente 192 ose në çfarëdo forme tjetër.
Më poshtë gjeni fotografitë dhe identitetin e zbuluar të këtyre të dyshuarve:
Kastriot Shala I lindur më 30.07.1995, shtetas i Republikës së Kosovës me vendbanim në fshatin Trudë, komuna e Prishtinës.
Ridvan Ademi I lindur më 11.08.1989, shtetas i Republikës së Kosovës me vendbanim në fshatin Dobratin, komuna e Podujevës.
Leutrim Latifi I lindur më 27.02.1992, shtetas i Republikës së Kosovës me vendbanim në Prishtinë