Polonia jashtë sistemit të BE-së për shpërndarjen e migrantëve derisa strehon ukrainas

Polonia do të mbetet e përjashtuar nga mekanizmi i detyrueshëm i zhvendosjes së migrantëve në Bashkimin Evropian për aq kohë sa vazhdon të strehojë një numër të madh refugjatësh ukrainas, tha sot ministri i Jashtëm Radoslaw Sikorski, transmeton Anadolu.

Duke folur për transmetuesin privat “Polsat News”, Sikorski tha se përjashtimi nuk është i përhershëm, por do të zgjasë disa vite. Ai vuri në dukje se prania e miliona ukrainasve në Poloni përbën “presion të madh migrator”, i njohur gjithashtu nga Brukseli.

“Ndërsa ne kemi një numër kaq të madh refugjatësh, Evropa duhet të tregojë solidaritet me ne. Sot BE-ja e njeh këtë, dhe këtë vit, dhe për aq kohë sa ukrainasit janë këtu, ne jemi të përjashtuar nga ai mekanizëm”, shtoi Sikorski.

BE-ja po përgatitet të zbatojë Paktin e Migracionit, një reformë madhore e sistemit të azilit dhe menaxhimit të migracionit të bllokut, që synon të lehtësojë presionin mbi shtetet me numër të madh migrantësh dhe të shpërndajë më në mënyrë të barabartë azilkërkuesit.

Sipas planit, qeveritë e BE-së duhet të kontribuojnë në një “Fond Solidariteti” përmes njërës prej tri opsioneve: pranimi i azilkërkuesve të zhvendosur, pagesa e një kontribuimi financiar në vend të zhvendosjes ose ofrimi i ndihmës operacionale në kufijtë e jashtëm të bllokut.

Polonia është ndër gjashtë vendet anëtare të kualifikuara që kërkojnë përjashtim nga detyrimet për shkak të asaj që Komisioni Evropian e konsideron “presion të lartë migrator”. Vendet e tjera janë: Austria, Bullgaria, Kroacia, Çekia dhe Estonia, të cilat kanë pranuar një numër të konsiderueshëm ukrainasish që largohen nga lufta e Rusisë.

Zëvendësministri i Brendshëm, Maciej Duszczyk konfirmoi të enjten se Varshava kishte paraqitur zyrtarisht kërkesën e saj për një përjashtim të plotë nga mekanizmi i solidaritetit. Ai tha se aplikimi do të diskutohet në takimin e 8-9 dhjetorit të Këshillit të BE-së për Drejtësi dhe Çështje të Brendshme, megjithëse një përgjigje përfundimtare nuk është e garantuar në atë seancë.

“Do të shohim nëse ai proces përfundon (atëherë)”, tha Duszczyk për gazetarët, duke shtuar se ministrat e BE-së janë të detyruar të marrin një vendim deri në fund të vitit. Ai shprehu besimin se përjashtimi i Polonisë do të miratohet, duke thënë se nuk sheh asnjë rrezik, asnjë arsye pse ajo kërkesë nuk duhet të miratohet.