Portugali, greva e përgjithshme paralizon sektorin e transportit

Një grevë e përgjithshme në Portugali kundër reformave të punës të qeverisë së pakicës së krahut të djathtë ka ndikuar negativisht në sektorin e transportit në veçanti, transmeton Anadolu.

Greva 24-orëshe që u mbajt pas një pauze prej 12 vitesh, u thirr nga sindikatat e punëtorëve që kundërshtojnë reformat e punës të propozuara nga qeveria.

Stacionet e metrosë në kryeqytet, Lisbonë, u mbyllën nga mesnata e tutje, ndërsa shërbimet e autobusëve dhe trenave ndërqytetas u ndaluan në të gjithë vendin.

Gjithashtu ndërprerje serioze u shënuan edhe në transportin ajror, ku kompania Air Europa anuloi të gjitha fluturimet për në Portugali, ndërsa Iberia që uli operacionet me 75 për qind dhe TAP Portugal dhe linja të tjera ajrore që ofruan shërbim minimal.

Sindikatat theksojnë se reformat e punës të propozuara nga qeveria i bëjnë shkarkimet nga puna më të lehta, liberalizojnë orarin e punës dhe ndikojnë negativisht në të drejta të tilla si leja e ushqyerjes me gji.

Tiago Oliveira, Sekretar i Përgjithshëm i Konfederatës së Përgjithshme të Sindikatave të Punës Portugeze – Sindikata Kombëtare (CGTP-IN), në një deklaratë për shtyp tha se “Qeveria dëshiron të eliminojë të drejtën për një jetë të qëndrueshme, të drejtën për një jetë dinjitoze me shpresë për të ardhmen”.

Për shkak të grevës së përgjithshme, demonstrata po mbahen në shumë qytete në të gjithë vendin, kryesisht në kryeqytetin Lisbonë.

Kjo është hera e parë që qeveria e pakicës e formuar pas zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme më 18 maj në Portugali nga Kryeministri Luis Montenegro, udhëheqës i Aleancës Demokratike (AD) të krahut të djathtë, është përballur me kritika kaq të gjera për një nga veprimet e saj.

Partitë politike të opozitës së krahut të majtë në vend kanë kërkuar gjithashtu që qeveria të tërheqë reformën e punës.