Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Presidenti Begaj takon raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian

Presidenti Begaj takon raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur sot në një takim, raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder, në kuadër të misionit faktmbledhës në vend, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Presdienca e Shqipërisë thuhet se presidenti Begaj shprehu mirënjohje për angazhimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen e qëndrueshme të Parlamentit Evropian ndaj procesit të zgjerimit, “duke e cilësuar atë thelbësor për ruajtjen e besueshmërisë dhe momentumin e integrimit të Shqipërisë”.

Sipas njoftimit, Begaj i paraqiti reporterit pikëpamjet e tij lidhur me zhvillimet aktuale, progresin e reformave dhe hapat konkrete drejt integrimit evropian.

“Presidenti Begaj shprehu besimin se rezoluta e ardhshme e Parlamentit Evropian mbi raportin e progresit 2025 do të pasqyrojë në mënyrë objektive arritjet dhe sfidat e mbetura, duke rikonfirmuar angazhimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj vlerave evropiane, shtetit të së drejtës dhe demokracisë”.

Ndërkohë, në një reagim në rrjtet sociale në lidhje me takimin, Begaj ka shkruar se “Përshëndeta mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për zgjerimin dhe shpreha besimin se rezoluta e ardhshme do të pasqyrojë në mënyrë objektive si progresin ashtu edhe sfidat, në frymën e angazhimit të palëkundur të Shqipërisë ndaj vlerave evropiane”.

Raportuesi i Përhershëm i PE-së për Shqipërinë, Andreas Schieder, po zhvillon një vizitë në Shqipëri, në kuadër të misionit të tij vjetor të mbledhjes së fakteve në vend.