Presidenti egjiptian dhe ai francez diskutojnë zhvillimet në Gaza

Presidenti egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi dhe homologu i tij francez, Emmanuel Macron, në një telefonatë kanë diskutuar zhvillimet e fundit në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Presidenca egjiptiane tha se Sisi theksoi nevojën për të zbatuar fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza sipas planit të presidentit amerikan, Donald Trump.

Dy presidentët gjithashtu shqyrtuan mënyra për ta avancuar bashkëpunimin politik, ekonomik dhe të investimeve, për të rritur tregtinë dhe për të nxitur bashkëpunimin në fushat e industrisë, turizmit dhe transportit.

Ata gjithashtu trajtuan zhvillimet rajonale, përfshirë situatën në Gaza.

Presidenti egjiptian përshëndeti mbështetjen e Francës për përpjekjet e Egjiptit që çuan në armëpushimin në Gaza dhe theksoi nevojën për të zbatuar fazën e dytë të marrëveshjes.

Sisi riafirmoi refuzimin e vendosur të Egjiptit ndaj shkeljeve izraelite në Bregun Perëndimor, duke bërë thirrje për presion më të madh ndërkombëtar për të ndaluar këto shkelje dhe duke mbështetur Autoritetin Palestinez në përmbushjen e detyrimeve ndaj popullit të tij.

Macron, nga ana e tij, shprehu “vlerësimin e tij për rolin kyç të Egjiptit në arritjen e stabilitetit rajonal, veçanërisht në mbështetjen e marrëveshjes për të ndaluar luftën në Gaza”.

Të dy presidentët ranë dakord se “përpjekjet aktuale duhet të çojnë në nisjen e një procesi gjithëpërfshirës politik që kulmon me krijimin e një shteti të pavarur palestinez përgjatë kufijve të 4 qershorit të vitit 1967, me Kudsin Lindor si kryeqytet të tij”.

Lidhur me Sudanin, Sisi riafirmoi mbështetjen e plotë të Egjiptit për unitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Sudanit, si dhe refuzimin e çdo përpjekjeje që kërcënon sigurinë e vendit.