Presidenti Erdoğan takon shefin e NATO-s në Ankara

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka pritur në takim sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ndodhet për vizitë në Ankara, pas çka do të vizitojë edhe qytetin Hatay të goditur nga tërmeti, raporton Anadolu.

Erdoğan dhe Stoltenberg u takuan në Pallatin Presidencial në Ankara, ndërsa takimi me dyer të mbyllura zgjati një orë e 20 minuta.

Më herët, Stoltenberg u takua edhe me ministren turk të Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu.

Pas takimit me ministrin Çavuşoğlu, Stoltenberg tha se tërmetet shkatërruese të javës së kaluar në jug të Turqisë ishin fatkeqësia natyrore më vdekjeprurëse që ka ndodhur në territorin e NATO-s që nga themelimi i saj.

Ai premtoi vazhdimin e ndihmës së NATO-s në këto kohë të vështira për Turqinë.

Shefi i diplomacisë turke, nga ana e tij, tha se vizita e shefit të NATO-s synon të tregojë solidaritetin e aleancës.

Tërmetet e 6 shkurt me magnitudë 7.7 dhe 7.6 të shkallës Rihter, epiqendra e të cilave u regjistrua në provincën Kahramanmaras, goditën pjesët jugore të Turqisë, duke shkatërruar mijëra ndërtesa dhe duke prekur më shumë se 13 milionë njerëz. Në Turqi nga këto dy tërmete jetën e humbën të paktën 36.187 persona.