Presidenti i Kazakistanit jep dorëheqje

Presidenti i Kazakistanit, Nursultan Nazarbayev nënshkroi dekretin e dorëheqjes së tij nga posti i presidentit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Kam vendosur t’i përfundoj kompetencat e mia si president”, ka thënë Nazarbayev, në një fjalim drejtuar popullatës nëpërmjet kanalit televiziv shtetëror duke theksuar se fjalimi i mbajtur sot prej tij ishte i veçantë dhe se ka marrë një vendim të vështirë.

Nazarbayev tha se kompetencat e tij si president do t‘ia dorëzojë kryetarit të Senatit, Kassym Jomart Tokayev deri në përfundimin e afatit të detyrës që ka mbetur ndërsa ceremonia për betimin e presidentit të ri do të zhvillohet nesër në Parlament.

Pas fjalimit, Nazarbayev nënshkroi dekretin i cili që nga 20 marsi shpërbën kompetencat e tij presidenciale.

Tokayev do të marrë detyrën e presidentit nga Nazarbayev pas betimit që do të zhvillojë nesër në Parlament dhe do ta vazhdojë deri në vitin 2020 mandatin e tij.

Nazarbayev ka lindur më 6 korrik 1940 në Kaskelen të Kazakistanit. Në vitin 1989 u zgjodh sekretar i parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kazakistanit ndërsa më 1 dhjetor 1991 u zgjodh president i Kazakistanit me 98.7 për qind të votave.

Mandati presidencial i Nazarbayev-it duhej të përfundonte në vitin 2020. Ai ka drejtuar vendin për rreth 30 vite.