Presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, u takua sot në Damask me përfaqësues kurdë të vendit, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve SANA, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë, Sharaa ka pritur një delegacion nga Këshilli Kombëtar Kurd në Pallatin e Popullit në kryeqytetin sirian.
Gjatë takimit, Sharaa ka rikonfirmuar “angazhimin e qeverisë për garantimin e të drejtave të qytetarëve kurdë brenda kornizës së Kushtetutës siriane”, raportoi SANA.
Nga ana e tij, delegacioni përshëndeti Dekretin Presidencial Nr. 13, duke e cilësuar atë si “një hap të rëndësishëm drejt forcimit të të drejtave dhe mbrojtjes së veçorive kulturore dhe shoqërore”.
Javën e kaluar, Ministria e Brendshme e Sirisë urdhëroi zbatimin e menjëhershëm të Dekretit Nr. 13, i cili u jep shtetësinë sirianëve me origjinë kurde, përfshirë ata që më parë ishin të paregjistruar si pa shtetësi, dhe garanton barazi të plotë në të drejta dhe detyrime.
Sipas këtij vendimi, të gjitha ligjet dhe masat e jashtëzakonshme që rrjedhin nga regjistrimi i përgjithshëm i vitit 1962 në provincën veriperëndimore Hasakah shfuqizohen, dhe shtetësia siriane do t’u jepet të gjithë qytetarëve me origjinë kurde që jetojnë në Siri, përfshirë ata që më parë ishin të regjistruar si pa shtetësi, me barazi të plotë në të drejta dhe detyra.






