Presidenti tunizian shkarkon 57 gjyqtarë

Presidenti i Tunizisë, Kais Saied ka shkarkuar dhjetëra gjyqtarë, duke i akuzuar ata për korrupsion dhe mbrojtje të terroristëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur gjatë një takimi të kabinetit të mërkurën, Saied përmendi ndërprerjen e hetimit për rastet terroriste, mbrojtjen e një të dyshuari për terrorizëm dhe korrupsionin financiar për vendimin e tij për të shkarkuar këta gjyqtarë.

Menjëherë pas deklaratave të tij, një dekret presidencial i publikuar nga ‘Gazeta zyrtare’ shpalli shkarkimin e 57 gjyqtarëve.

Midis të shkarkuarve ishte Youssef Bouzaker, ish-kreu i Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarët e të cilit presidenti tunizian i zëvendësoi këtë vit.

Një tjetër gjykatës i shquar në listë ishte Bachir Akremi, të cilin mbështetësit e presidentit Saied e akuzojnë se është shumë i afërt me Partinë Ennahda.

Tunizia është në krizë të thellë politike që nga 25 korriku 2021, kur Saied shkarkoi qeverinë, pezulloi parlamentin dhe mori autoritetin ekzekutiv, në një lëvizje të cilësuar nga kundërshtarët si një “grusht shteti”. Më vonë ai shpërndau parlamentin në mars pasi ligjvënësit mbajtën një seancë për të revokuar masat e tij. /aa