Presidentja e Maqedonisë së Veriut falënderon TIKA-n për mbështetjen ndaj vendit të saj

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, falënderoi Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) për mbështetjen që i ka dhënë vendit të saj, raporton Anadolu.

TIKA ka realizuar rinovimin dhe pajisjen e Institutit Publik Shkencor të Hidrobiologjisë në Ohër, si dhe i ka dhuruar institucionit mjete dhe automjete.

Në ceremoninë e përurimit të projektit në këtë institucion morën pjesë Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Siljanovska-Davkova, Ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, Kryetari i TIKA-s, Abdullah Eren, Konsulli i Nderit i Turqisë në Ohër, Abdurrahim Bayraktar, si dhe përfaqësues të Komunës së Ohrit.

– “Kjo mbështetje tregon se shkenca dhe etika janë të pandashme”

Presidentja Siljanovska-Davkova shprehu kënaqësinë për përurimin e projektit dhe falënderoi TIKA-n për mbështetjen e dhënë ndaj vendit të saj.

“Kjo mbështetje tregon dhe dëshmon se shkenca dhe etika janë të pandashme. Këtë hap të TIKA-s e vlerësoj si një hap etik”, tha ajo.

Duke theksuar se TIKA e tregon mbështetjen ndaj vendit dhe qytetarëve jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, Siljanovska-Davkova shprehu edhe një herë mirënjohjen e saj për këtë ndihmë.

– “Kemi realizuar projekte që u shërbejnë të gjitha qyteteve dhe të gjithë popujve të Maqedonisë së Veriut”

Ambasadori Ulusoy u shpreh se “projekti i realizuar me orientimin e presidentes Siljanovska-Davkova do të japë një kontribut të rëndësishëm në përpjekjet për mbrojtjen e bukurive natyrore të këtij vendi, veçanërisht të Liqenit të Ohrit”.

Nga ana e tij, Kryetari i TİKA-s, Abdullah Eren, vuri në dukje se Liqeni i Ohrit është ndër liqenet më të vjetra në Evropë, duke thënë: “Falënderoj Presidenten Siljanovska-Davkova që e përfshiu TİKA-n si partnere në një projekt kaq të rëndësishëm për mbrojtjen e këtij vendi.”

Ndërkaq, Eren theksoi se TIKA ka realizuar mbi 1.300 projekte në Maqedoninë e Veriut, duke shtuar: “Nga arsimi te shëndetësia, nga blegtoria te forcimi i infrastrukturës administrative, kemi zbatuar projekte që u shërbejnë të gjitha qyteteve dhe të gjithë popujve të Maqedonisë së Veriut”.

Drejtoresha e Institutit të Hidrobiologjisë në Ohër, Orhideja Tasevska, gjithashtu falënderoi TIKA-n për mbështetjen e dhënë.

Po ashtu, TIKA ka realizuar ndërtimin dhe pajisjen e Qendrës Shëndetësore të Komunës së Pllasnicës, në afërsi të Ohrit.