Presioni i Thaçit i çon rreth 1 milion euro te një biznes privat

epa05792927 President of the Republic of Kosovo Hashim Thaci during his meeting with Norwegian Minister of Foreign Affairs Brende Borge (not pictured) in Pristina, Kosovo, 14 February 2017. Borge is one-day official visit to Kosovo. EPA/VALDRIN XHEMAJ

Mbi gjysmë milioni euro kanë shkuar në llogarinë e një biznesi privat, për qiranë e hapësirës në të cilën në fundvit është vendosur stafi i Ministrisë së Bujqësisë dhe ai i Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë. Shteti është zhytur në borxh tek i njëjti biznes edhe për hapësira të tjera që janë marrë me qira për ta vendosur Ministrinë e Kulturës, ani se stafi i këtij institucioni ka vendosur të mos i lëshojë zyrat e vjetra.

Të dyja ministritë, bashkë me Agjencinë, ishin ngutur që t’i lidhnin kontratat me kompaninë “A2 GROUP”, përpara se të braktiseshin zyrat nga anëtarët e kabinetit të Qeverisë së Ramush Haradinajt. E kishin bërë këtë nën presionin e presidentit Hashim Thaçi. Ai kërkonte që të lëshohej ndërtesa e ish-Komitetit ku ndodheshin ministritë, të rinovohej dhe të kthehej në seli të Presidencës.

Por, me t’u firmosur kontratat e qirasë, nuk ka pasur veprime për ta kthyer në Presidencë ish-Komitetin.

Tani Ministria e Bujqësisë ka bërë kërkesë për ndërprerje të kontratës së qirasë. Kjo i është konfirmuar gazetës nga vetë ky dikaster qeveritar.

“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka proceduar zyrtarisht kërkesa në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), përmes të cilave ka kërkuar zhvendosjen e stafit të MBPZhR-së nga ndërtesa në pronësi private, në ndërtesë në pronësi shtetërore. Kërkesa e parë është bërë më datë 12 mars 2020, ndërkaq e dyta më datë 22 maj 2020”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Ministrisë së Bujqësisë. “Zhvendosja, natyrisht, është vështirësuar dhe pamundësuar gjatë kësaj periudhe të pandemisë COVID-19, kur edhe të gjitha ministritë kanë funksionuar vetëm me staf esencial dhe shumica dërrmuese e kompanive private nuk kanë punuar fare ose kanë punuar me staf esencial, po ashtu”.

Në këtë ministri kanë treguar se që nga muaji shtator, kur edhe ishte nënshkruar kontrata për shfrytëzimin e ndërtesës në pronësi private e deri në muajin qershor të këtij viti, është paguar shuma prej 255,528.00 eurosh për qira.