Pretendohet se Izraeli kreu sulme ajrore në disa pika ushtarake rreth Damaskut

Pretendohet se Izraeli ka kryer sulme ajrore në disa pika ushtarake rreth kryeqytetit sirian, Damask, transmeton Anadolu.

Në lajmin e agjencisë siriane të lajmeve SANA, bazuar në burime ushtarake, pretendohet se disa pika ushtarake rreth Damaskut janë shënjestruar me një sulm ajror nga Lartësitë e Golanit nga forcat izraelite në orën 02:20 me kohën lokale.

“Sistemet tona të mbrojtjes ajrore u kundërpërgjigjën raketave armike dhe rrëzuan disa prej tyre. 4 ushtarë u vranë dhe 4 ushtarë u plagosën”, thuhet në lajm.

Rreth Damaskut gjenden pjesëtarë të Hezbollahut libanez, të ushtrisë siriane dhe grupeve terroriste të mbështetura nga Irani.

Që nga fillimi i luftës civile në vitin 2011, Izraeli ka kryer herë pas here sulme ndaj grupeve të mbështetura nga Irani dhe pikave ushtarake që i përkasin ushtrisë siriane.