Prezantuesi i sportit në BBC krahason ligjin për emigrantët me politikën naziste të Gjermanisë

Shtëpia mediatike BBC do të flasë me prezantuesin e saj Gary Lineker, pasi ai krahasoi politikën e diskutueshme të Britanisë së Madhe lidhur me emigrantët me Gjermaninë naziste, transmeton Anadolu.

Lineker, moderatori i emisionit “Match of the Day” (Ndeshja e Ditës), e cilësoi si “përtej të tmerrshmes” projekt-ligjin e propozuar të migracionit, i cili mundëson ndalimin dhe largimin e shpejtë të secilit që hyn ilegalisht në Britani.

Zëdhënësi i BBC tha se ish-futbollistit do t’i “tërhiqet vërejtja për përgjegjësitë e tij”, pasi ai tha se gjuha e politikës “nuk dallon nga ajo që kishte përdorur Gjermania në vitet ’30′”.

Të martën u prezantua projektligji i qeverisë në parlament. Lineker kishte kundërshtuar në mënyrë specifike gjuhën e përdorur nga Sekretarja e Brendshme, Suella Braverman gjatë prezantimit të saj, veçanërisht për ndalimin e varkave me emigrantë që kalojnë përmes Kanalit Anglez.

Lineker mbrojti komentet e tij që ngjallën zemërim tek disa politikanë konservatorë, në Twitter, duke thënë: “Nuk ka fluks të madh. Ne pranojmë shumë më pak refugjatë se vendet e tjera të mëdha evropiane”.

“Kjo është thejsht një politikë jashtëzakonisht mizore ndaj njerëzve më të cenueshëm në një gjuhë që nuk dallon nga ajo që kishte përdorur Gjermania në vitet e ’30’-ta dhe unë jam i tronditur?”, tha ai.

Sipas BBC, Lineker nuk është i detyruar nga politikat e njëjta të mediave sociale si stafi i lajmeve dhe çështjeve aktuale të korporatës. Por, shtoi se shefi i BBC-së, Tim Davie kishte diskutuar më parë me të lidhur me çështjet e komenteve të tij në mediat sociale.

Projektligji i ri do mundësojë ndalimin e njerëzve deri në 28 ditë pa lirim me kusht ose shqyrtim gjyqësor. Sekretarja britanike ka marrë si detyrë largimin e emigrantëve të paligjshëm.

Të martën, Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) shprehu shqetësim për këtë çështje, duke thënë se “nëse miratohet legjislacioni, do të përbënte ndalim të azilit”.