Princi saudit i Kurorës njofton “strategjinë kombëtare të industrisë” së vendit të tij

Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman tha se është përcaktuar strategjia kombëtare e industrisë për të siguruar rritjen e investimit dhe diversifikimin e prodhimit në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas agjencisë së lajmeve SPA të Arabisë Saudite, Bin Salman njoftoi se vendi i tij në kuadër të vizionit 2030 ka zhvilluar strategjinë kombëtare të industrisë.

Bin Salman deklaroi se në kuadër të strategjisë, është planifikuar që eksportet e produkteve industriale të Arabisë Saudite të rriten në 557 miliardë rijal (rreth 148 miliardë e 340 milionë dollarë).

“Strategjia kombëtare e industrisë synon të rrisë eksportet e produkteve vendase dhe jo të naftës në ekonominë e Arabisë Saudite”, deklaroi Bin Salman i cili shtoi se strategjia përfshin rritjen me 6 herë të eksporteve për produktet e teknologjisë së përparuar dhe që të sigurojë punësim për dhjetëra mijëra persona.

Ai tha se Arabia Saudite “ka aftësi të reja ambicioze, një pozicion gjeografik të përzgjedhur, burime të pasura natyrore dhe çdo mundësi për të arritur një ekonomi industriale të vazhdueshme dhe konkurruese, përfshirë edhe kompani kryesore në sektorin industrial”.