Prioriteti i veprave me dobi të vazhdueshme dhe me efekte afatgjate

Shejh Jusuf Kardavi (r.a)

Allahu i Madhërishëm dhe i Dërguari i Tij, sikur që e dëshirojnë shtrirjen dhe zgjerimin e përfitimit në hapësirë, njashtu e dëshirojnë jetëgjatësinë dhe qëndrueshmërinë e tij në kohë. Kështu, më e vlefshme është sadakaja e cila sjell përfitime afatgjata, siç është dhurimi i një dhie njëvjeçare apo një deveje e cila lind, sepse personit që i dhurohen mund t’i japin qumësht për disa vjet.

Një fjalë e urtë kineze thotë:

Të varfrit në vend që t’ia dhurosh një peshk për drekë, dhuroja rrjetin me të cilin ai do të gjuaj peshk.

Pejgamberi savs thotë:

– Sadakaja më e mirë është të dhurosh një tendë në emër e Allahut, një deve shërbëtorit në rrugë të Allahut, ose të dhurosh një deve e cila lind, në emër të Allahut.

– Nga 40 dhurata, ndër të cilat më e madhja është dhurimi i një dhie të re, cilëndo prej tyre që ta bëjë robi i Allahut, Allahu i Madhërishëm për të do ta çojë në xhenet.

Prandaj sadakaja e vazhdueshme ka vlerë të madhe. Përfitimi i saj është i vazhdueshëm, kurse efektet mbeten edhe pas vdekjes së atij që e ka bërë atë. I këtillë është rasti me vakëfet bamirëse të cilat i kanë bërë muslimanët që nga koha e Pejgamberit savs. Kultura islame karakterizohet nga bollëku dhe llojllojshmëria e vakëfeve. Ato janë të pranishme në të gjitha sferat e bamirësisë dhe i përfshijnë nevojat e të gjithë anëtarëve të bashkësisë njerëzore, dhe jo vetëm, por janë të shtrira edhe në bamirësinë ndaj kafshëve.

Një hadithi autentik thotë:

– Kur një njeri vdes, i ndërpritet puna e tij, përveç në tri raste: (1) në qoftë se pas vetes ka lënë sadakë të vazhdueshme, (2) nëse ka lënë dituri e cila përdoret ose (3) nëse ka lënë fëmijë të edukuar mirë i cili lutet për të.

Një tjetër hadith i thekson llojet e sadakasë së vazhdueshme dhe i numëron 7 prej tyre:

– Në vepra të mira, nga të cilat muslimani ka dobi edhe pas vdekjes së tij, bëjnë pjesë: (1) dituria të cilën e ka përhapur dhe përcjellë tek të tjerët; (2) një fëmijë të mirë që ka lënë; (3) musafi të cilin ia ka lënë trashëgimi dikujt; (4) një xhami që e ka ndërtuar; (5) një shtëpi për musafirë që e ka bërë; (6) një lum (ujë rrjedhës) të cilin e ka gërmuar; apo (7) një sadakë që e ka dhënë nga pasuria e tij derisa ka qenë gjallë dhe shëndosh. Këto do t’i arrijnë pronarit tyre edhe pas vdekjes së tij.

Jeta e njeriut është e kufizuar dhe të shkurtër. Mirëpo, Allahu i Plotfuqishëm nga mirësia e Tij, njeriut i ka dhënë mundësi që për shkak të disa veprave, vlera e të cilave është e vazhdueshme, të bëjë jetën më të gjatë. Dhe kështu ai jeton edhe pas vdekjes së tij. Jeton me bamirësitë e tij edhe atëherë kur nga trupi i tij, ndoshta, nuk ka mbetur asgjë.

Allahu e bekoftë poetin arab Ahmed Shevki, i cili ka thënë:

Të rrahurat e zemrave njerëzore atyre u tregojnë
se jetën e tyre vetëm minutat dhe sekondat e përbëjnë!

Ndërtoje për shpirtin tënd një përkujtim dhe leje pas vetes,
sepse përkujtimi për njeriun është vazhdim i jetës!

Nga: Dr. Jusuf El – Kardavi (r.a)

Përkthim: Miftar Ajdini