Prishtina me 25 automjete të zjarrfikësve, vetëm 5 i plotësojnë kriteret për përdorim

Malë Gashi nga Brigada e Zjarrfikësve në Prishtinë, deklaroi se 25 automjete aktualisht janë pjesë e zjarrfikësve, por vetëm 5 prej tyre e plotësojnë kriterin e vjetërsisë.

Ai deklaroi në SOT të KTV-së të hënën se me udhëzim administrativ është e rregulluar që çdo automjet që është më i vjetër se 15 vjet, nuk mund të përdoret për intervenim.

“Numri i punëtorëve dhe automjetet janë dy problemet kryesore. Kemi kërkuar zgjidhjen për numrin e automjeteve, pasi i kemi 25, por vetëm 5 plotësojnë kriterin e vjetërsisë, mirëpo kjo s’do të thotë që i plotësojnë kriteret e duhura për reagim. Ne i dërgojmë edhe në servisim, pra s’është diçka që na ka penguar, por ajo na merr kohë. Por, për një kohë të shkurtër prishen dhe duhet përsëri t’i dërgojmë në servisim”, deklaroi Gashi.

Gashi tha se mungesa e zjarrfikësve është evidente dhe aktualisht, në Prishtinë janë 89 persona staf të personelit e 82 staf operativ. Edhe 26 pozita janë të lira për zjarrfikës, por sipas tij, nuk po plotësohen.

“Në vitin 2021, sipas Entit të Statistikave, Prishtina i ka pasur 220 mijë banorë. Vetëm Prishtina duhet t’i ketë 146 zjarrfikës, por as vendet e lira (26) s’po mundemi t’i plotësojmë”, tha Gashi.

Ai theksoi se zjarrfikësit nuk janë ndarë të kënaqur as me koeficientin e pagave. Koeficienti është 5, e ai tha se kanë kërkuar që të paktën të jetë 6, në mënyrë që pagat më pastaj të rregullohen sipas pozitave në Brigadë.