Priten sanksione të reja të BE-së ndaj Bjellorusisë

Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian pritet të marrin një vendim sot për sanksione të reja kundër Bjellorusisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministrat e Jashtëm të BE-së do të takohen në Luksemburg. Pikat kryesore të axhendës së takimit janë Bjellorusia, Iraku, Amerika Latine dhe Karaibet.

Ministrat e BE-së pritet të vendosin sanksione të reja ndaj Bjellorusisë për shkak të ndalimit të gazetarit opozitar, Roman Protasevic në një avion pasagjerësh që u ul në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk, për shkak të një kërcënimi për bombë teksa udhëtonte prej Athinës në Vilnius muajin e kaluar. Sanksionet janë planifikuar të përfshijnë gati 80 persona dhe organizatat e përfshira në uljen e avionit.

Përveç kësaj ministrat do të diskutojnë mbi sanksionet ekonomike që synojnë sektorë të Bjellorusë siç janë bankat dhe petrokimikat. Këto sanksione pritet të jenë gati përpara Samitit të udhëheqësve të BE-së që do të mbahet më 24-25 qershor.

Ministrat e Jashtëm të BE-së sot do të takohen me ministrin e Jashtëm irakian, Fuad Hussein. Në takim do të diskutohen çështje të tilla si ndihma e BE-së për këtë vend, dërgimi i një delegacioni vëzhgues nga BE-ja para zgjedhjeve të tetorit në Irak dhe ndihma e nevojshme për organizimin e shëndetshëm të zgjedhjeve.

Do të flitet edhe për Turqinë

Një nga temat e Samitit të udhëheqësve të BE-së që do të mbahet këtë javë do të jetë Turqia. Turqia do të jetë gjithashtu në axhendën e ministrave të Jashtëm.

Zyrtarët e BE-së thonë se marrëdhëniet midis Turqisë dhe BE-së, të cilat kishin qenë të tensionuara për një kohë të gjatë, kanë hyrë në një rrugë pozitive dhe ata duan që kjo të vazhdojë. Pala e BE-së thekson se situata në Mesdheun Lindor është e qetë dhe ata e shohin atë si pozitive. Gjithashtu e vlerësojnë pozitivisht fillimin e bisedimeve dypalëshe midis Turqisë dhe Greqisë.

Më tej është pohuar se Turqia dhe BE janë më afër njëra-tjetrës për çështje rajonale si Siria dhe Libia krahasuar me muajt e mëparshëm, por që Turqia dhe BE-ja kanë pozicione të ndryshme në marrëdhëniet mbi Qipron.

Në takimin e ministrave të BE-së në Luksemburg do të diskutohen çështje të tilla si Libani, Procesi i Paqes në Lindjen e Mesme, zgjedhjet në Iran, Rusi, Etiopi dhe dialogu Beograd-Prishtinë. /AA