Problemet e Ronaldo-s me FIFA-n,”Messi-t iu nda çmimi ‘The Best’ për inat të CR7″

Ceremonia e FIFA-s të hënën në teatrin ‘La Scala’ për çmimet e më të mirëve për sezonin që lamë pas ka shërbyer si mollë sherri mes Ronaldo-s dhe institucionit më të lartë të futbollit në botë. Portugezi i cili aktualisht po rikuperohet nga një dëmtim injoroi aktivitetin duke mos shkuar në Milano, diçka e cila nervozoi FIFA-n.

Hakmarrja e parë do të vinte vetëm pas pak minutash kur kjo e fundit lexoi emrat e formacionit më të mirë për sezonin që lamë pas. Padiskutim që në 11-tshe ishte i përfshirë edhe futbollisti i Juventusit, por gjatë leximit të emrave CR7 u shmang, duke lexuar vetëm 10 nga 11 emrat.

Gjithsesi mediat italiane dhe konkretisht ‘itasportpress.it’ shkon më tej duke deklaruar se FIFA për inat të Ronaldo-s i akordoi çmimin ‘The Best’ Lionel Messi-t. Në fakt ky vendim i habiti të gjithë pasi pritej që në garën treshe fitues të shpallej Virgil Van Dijk, futbollisti i Liverpool që fitoi Champions League dhe që së fundmi u shpall lojtari i vitit nga UEFA.

Për gjithçka ndodhi padiskutim Cristiano Ronaldo reagoi, por diçka të tillë portugezi e bëri nëpërmjet rrejeteve sociale. Pak çaste pasi u mësua verdikti për çmimin ‘The Best’ 34-vjeçari në instragram shkroi një mesazh të koduar: “Durimi dhe këmbëngulja janë dy karakteristika që dallojnë profesionistin nga amatori. E gjithë kjo që është e madhe sot, ka nisur e vogël. Nuk mund t’i bësh të gjitha, por bën çfarë është e mundur që të realizosh ëndrrat. Dhe mos harro se gjithmonë pas natës vjen agimi.”

Juventusi i Cristiano Ronaldo-s do të luajë sonte kundër Brescia-s në Seria A, por portugezi nuk është ne dispozicion për këtë sfidë si pasojë e dëmtimit.