Projekti i Mustafa Merlika Krujës dërguar Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare

Qerim Lita

Mustafa Merlika Kruja, i brengosur thellë për fatin e shqiptarëve në përgjithësi, e të Shqipërisë në veçanti, më 3 shtator 1943, hartoi një projekt, i cili ndër të tjera parashihte që në kuadër të Institutit për Studime Shqiptare të krijohej një trup i përbashkët i intelektualëve shqiptarë, të cilët do të angazhoheshin në grumbullimin e të gjitha veprave të shkruara për shqiptarët nga autorët e huaj.

Shkruan: Qerim LITA, Shkup

Me nismën e një grupi të intelektualëve shqiptarë të kohës, siç ishin Mustafa Merlika Kruja, Ernest Koliqi, Eqrem bej Vlora, Mati Llogoreci, Eqrem Çabej, Lasgush Poradeci, Aleksandër Xhuvani, Dhimitër Berati, Namik Resuli, Ndue Paluci, Ahmet Gashi etj., në vitin 1940-të në Tiranë formohet “Instituti Mbretnuer të Studimevet Shqiptare”, i cili nga vjeshta e vitit 1943 e mori emrin “Instituti Shqiptar për Studime e Arte”. Drejtor i parë i këtij instituti u zgjodh Mustafa Merlika Kruja, të cilin (pasi në dhjetor të vitit 1941 emërohet kryeministër i Shqipërisë) e zëvendësoi Ernest Koliqi, një intelektual dhe atdhetar tjetër i shquar, i cili ndryshe njihet edhe si nismëtari, organizatori dhe themeluesi i shkollave shqipe në Tokat e Lirueme, përkatësisht në prefekturat Prizren, Prishtinë, Dibër, Pejë dhe Mitrovicë (që i takonte zonës pushtuese gjermane), si dhe nënprefekturat e Ulqinit, Prespës, Plavës dhe Gucisë.
Në kuadër të Institutit u formua një seksion i veçantë “Seksjoni Kosova”, i cili ashtu sikurse qe emërtuar, merrej kryekëput me studime historike, ekonomike, kulturore që i përkisnin Kosovës dhe viseve tjera të Shqipërisë etnike. Për të pasur rezultate sa më të mëdha, seksionit në fjalë i nevojitej një bashkëpunim sa më i ngushtë me intelektualët e mirëfilltë shqiptarë, andaj nënkryetari i Institutit për Studime dhe Arte, Dr. Odhise Paskali, me 12 qershor 1944, përmes një letre ftonte të gjithë intelektualët dhe personat e ndryshëm shqiptarë të cilët mund të posedonin ndonjë dokument ose material me peshë historike, si dhe entet kulturore-shkencore të vendit, për një bashkëpunim sa më të ngushtë me Seksionin Kosova:
“…Qëllimi i këtij seksjoni të ri dhe i këtij Komisjoni, shkruante O. Paskali, është mbledhja e lëndës dhe e dokumentave mbi çështjet historike, ekonomike, artistike, shkencore dhe përgjithësisht kulturore që kanë të bëjnë me Kosovën dhe viset tjera të Shqipëris ethnike. Por që t’arihet sa më mirë dhe sa më shpejt kjo ndërmarje patriotike Komisjoni Kosova e gjën të nevojshëm bashkëpunimin sa më të ngushtë dhe me gjithë entet dhe privatët që dëftejnë një kompetenc diturore në ndonjërën nga degët që janë shënuar në listën e bashkëngjitur dhe jo vetëm për sa i përket Kosovës por dhe visevet tjera të Shqipëris ethnike. Duke e çmuar kontributin t’uaj patriotik ky Institut ka për të pritur me gëzim çdo punim ose studim t’uajin që përfshihet në degët e listës së bashkëngjitur si dhe çdo dokument historik, antikitete etj. – që mund të ruani ju ose miqtë e juaj – që kanë për të qenë të dobishme në formimin e një dokumentarit historik dhe të koleksioneve të ndryshme që do krijohen pranë Seksjonit Kosova….”.
Brenda katër viteve sa funksionoi Instituti për Studime Shqiptare, botoi një numër të madh të studimeve albanologjike, siç janë: “Konferenca e Londrës mbi çështjen shqiptare”, “Studime historike mbi qytetin e Dibrës”, “Studime historike mbi qytetet dhe fshatrat e Vilajetit të Janinës”, “Studime historike mbi qytetet dhe fshatrat e prefekturës së Kosovës”, “Studime historike mbi qytetet dhe fshatrat e Vilajetit të Manastirit”, “Studime historike mbi qytetin e Prizrenit”, “Studime historike mbi Shqipërinë”, “Studime përmbledhëse mbi Shqipërinë” të shkruar nga autorit Ahmet Hamdi në vitin 1920, “Studime historike mbi origjinën e shqiptarëve”, “Studime historike mbi disfatën e ushtrisë turke në luftën ballkanike”, “Roli i intelektualëve për ta çuar Shqipërinë përpara”, “Studime historike mbi figurat e njohura të Rilindjes Kombëtare: Sami Frashëri, Hoxhë Tahsini etj.”, “Studime historike mbi shqiptarët e Italisë”, “Studime historike mbi shqiptarët e Egjiptit”, “Studime historike mbi shqiptarët e Rumanisë”, “Studime historike mbi shqiptarët e Kaukazit” e shumë studime tjera, të cilat ruhen në dorëshkrim në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, Fondi Instituti i Studime Shqiptare (200).
Një hap tjetër me rëndësi që Instituti Mbretëror për Studime Shqiptare e mori asaj kohe qe nisma për ndërrimin e toponimeve të vendbanimeve të Tokave të Liruara, për çka u angazhuan profesorët e shquar dhe njohësit më të mirë për kohën të fushës historike e gjeografike: Ahmet Gashi, Ndue Paluci dhe Filip Fishta, të cilët do të kryenin një studim lidhur me toponomastikën në Kosovë e në trevat lindore. Pas një pune disamujore, ata i dorëzuan institutit në fjalë një punim të gjerë studimor, ku vinin në dukje se toponimet sllave në Tokat e Liruara ishin të vonshme. Nisur nga kjo, ata propozuan një listë të gjatë të emërtimeve shqiptare përkatëse, të cilat i kishtin pasur një numër i madh i vendbanimeve para se atyre t’u viheshin emërtime sllave, si p.sh.: “Stari Kaçanik – Kaçanik i Vjetër; Grlica – Qafzeza; Uroshevac – Ferizaj; Pozharane – Flakadani; Skoplje – Shkupi; Gornje Skoplje – Malsia e Shkupit; Ljuboten – Lubotini; Nerodimka – Shkretija; Lepenac – Bukurija; Donji Polog – Fusha e Poshtme; Gornji Polog – Fusha e Epërme, Laskarci – Laskaj … etj.”.
Ndërkohë, Mustafa Merlika Kruja, i brengosur thellë për fatin e shqiptarëve në përgjithësi, e të Shqipërisë në veçanti, më 3 shtator 1943 hartoi një projekt, i cili ndër të tjerave parashihte që në kuadër të Institutit për Studime Shqiptare të krijohej një trup i përbashkët i intelektualëve shqiptarë, të cilët do të angazhoheshin në grumbullimin e të gjitha veprave të shkruara për shqiptarët nga autorët e huaj dhe pasi të lexoheshin e të daktilografoheshin të gjitha ato pjesë që bënin fjalë për popullin shqiptar dhe Shqipërinë, të seleksionoheshin, klasifikoheshin dhe botoheshin. Këtë detyrë të shenjtë kombëtare, sipas Krujës, mund ta kryente vetëm Instituti për Studime Shqiptare, natyrisht në bashkëpunim të ngushtë me intelektualët shqiptarë kudo që ato ndodheshin, sepse, siç do të shprehet aim “…Diplomatët qi do të mblidhen rreth tryezës së gjelbër për të dá fatin e kombevet në konferencën e ardhëshme nuk janë gjyqtar objektivë qi shikojnë vetëm të drejtën, por janë avoketët t’interesave të vêndeve të veta e të miqve dhe t’aljatve të tyne….”.
Menjëherë pasi projekti mori ngjyrë jeshile, Aleksandër Xhuvani, në emër të Institutit për Studime Shqiptare, përmes një Thirrjeje, i njoftonte intelektualët shqiptarë në përgjithësi, e atyre që njihnin së paku një gjuhë të huaj në veçanti, për nismën e Institutit, për të grumbulluar dhe botuar çdo lloj dokumenti ose materiali të shkruar me peshë historike për shqiptarët dhe Shqipërinë, e cila nismë mund të realizohej vetëm përmes një bashkëpunim të ngushtë me ta. Se zbatimi i këtij projekti mori seriozitetin e duhur nga udhëheqja e Institutit, shihet edhe nga shkresa e A. Xhuvanit, nr. 137 të datës 28 shtator1943, së cilës i janë bashkangjitur 50 ekzemplarë të thirrjes së mësipërme, dërguar Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë Botërore, Ministrisë së Ekonomisë, Këshillit të Shtetit, Mbrojtjes Kombëtare, Komunitetit Mysliman, Kuvendit Françeskan dhe Kuvendit të Jezuitëvet, ku thuhet: “Këtu ngjitun po Ju dërgojmë 50 copë të nji thirrje intelektualvet shqiptarë për të mbledhë dekomunentat e nevojituna për mprojtjen e të drejtavet t’ona ethnike. Lutemi me i përda këto nëpunësavet kompetentë t’Asaj Ministrije”.
Për fatin tonë të keq, me ardhjen në pushtet të Partisë Komuniste Shqiptare, Enver Hoxha dhe klika e tij komuniste jo vetëm se e hodhën poshtë Projektin e hartuar nga Mustafa Merlika Kruja, por njëkohësisht e shuan edhe Institutin Shqiptar për Studime dhe Arte, me pretekstin se qenka formuar nga “reaksioni shqiptaromadh”. Rrjedhimisht, numër i madh i punonjësve dhe bashkëpunëtorëve të jashtëm të këtij instituti u pushkatuan, një numër tjetër në pamundësi për të qëndruar në atdheun e tyre u detyrua të emigroj në Greqi, Itali, Turqi, SHBA, Australi dhe në vende tjera demokratike perëndimore, një pjesë tjetër u burgos ose u internua, ndërsa vetëm një numër i vogël arriti të mbijetojë, i cili, edhe në kushtet e një regjimi stalinist-enverian, dha një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën albanologjike në përgjithësi.
Në vazhdim, po e paraqes të plotë, Projektin e Mustafa Merlika Krujës dhe Thirrjen e Aleksandër Xhuvanit drejtuar mbarë intelektualëve shqiptarë.

* * *

“INSTITUTI MBRETNUER TË STUDIMEVET SHQIPTARE

Lufta mizore qi ka zhytun botën në gjak që katër vjet e këndej do të mbaroj nji ditë, e ndoshta nji ditë ma të shpejtë seç mund t’a mendojmë. Njerzija e shtypun e dërmueme prej saj do të fillojë me lenue e shërue plagët e rânda të trupit e të zêmrës së vet në bekimin e paqës qi pret. Plagët familjare e plagët kombëtare. Por mjerë ata popuj qi si lufta ashtu paqa i gjên të papërgatitun! Si njâna si tjetra ka problemat e veta për t’u përballë e ç’farë problemash të mëndershme e të ndërlikueme!
A âsht vallë populli shqiptar i përgatitun për t’u bâmë ballë problemevet para të cilavet do të gjindet qyshë ditën qi ka për të prâ gjâma e topave ndër ballinat e ndryshme të luftës? Nuk i përket Institutit t’onë, qi âsht thjesht nji Institut kulture, me u marrë me problemat politike, ekonomike e shoqnore të shtetit. Por âsht nji qi duhet t’i a lodhë mênden çdo Shqiptari, edhe pa cilsi zyrtare, për aqë sa të jetë i zoti me bamë për tê. Asht problema o projes së të drejtave t’ona kombëtare në Konferencën e Paqës, mâ e para problemë e paqës për çdo komb, por sidomos për nji komb të vogël e të pafuqishëm me shumë armiq, me shumë pak miq e pa asnji tjetër armë veç së drejtës. Vërtet se edhe kujdesi i ksaj probleme të madhe i përket Qeveris shqiptare, âsht ajo qi do të përfaqsohet, shpresojmë, në Konferencën e Paqës për t’u dalë zot të drejtave të kombit shqiptar. Por gatimi i materjalit të nevojshëm për këtê punë âsht nji barrë aq’e rândë qi vetëm bashkëpunimi i gjithë intelektualvet shqiptarë e gjithë vullneti i mirë i tyne do të mundet t’a qesë në breg si duhet. Mendoj se inicijativën e nji bashkëpunimi të këtillë mund ta marrë vetëm Instituti Mbretnuer i Studimevet Shqiptare.
Diplomatët qi do të mblidhen rreth tryezës së gjelbër për të dá fatin e kombevet në konferencën e ardhëshme nuk janë gjyqtar objektivë qi shikojnë vetëm të drejtën, por janë avoketët t’interesave të vêndeve të veta e të miqve dhe t’aljatve të tyne. Me gjithë këtë, edhe pa pasun shpresë shumë se do të gjinden n’atë kuvênd diplomatësh miq të vërtetë të Shqipnís, ata nuk munden as me i mohue kryekëput të drejtat e nji kombi të vogël të provueme me argumenta të qartë e të fortë përpara sish e përpara opinionit të popujvet qi përfaqësojnë. Cilat kishin me qênë këto prova të qarta e të forta? Dikur anmiqt e Kombit shqiptar kanë mbërri me mohue deri eksistencën e tij e jo ma pjekunín e tij me pasun nji shtet të lirë dhe gjânsin toksore qi i përkiste si zot vêndi. Sot s’e ka mâ kush atë guxim, eksistencën e nji populli shqiptar në Ballkan s’ka për t’a mohue kush. Por të drejtat e tija kombëtare janë në rrezik të madh, e ne e kemi për detyrë shêjtë me përmbledhun të tâna energjitë t’ona intelektuale për me i vûmë në pah nji dritë aqë të qartë sa askush mos të mundet me i mohue në besim të mirë. Për mbi të gjitha të drejtat ethnike.
Ç’duhet të bâjmë për këtë punë? Mbas mendimit t’em mënyra ma e fuqishme për t’i mbushun mênden botës për të drejtat t’ona âsht me shtí të flasin për to burra shkencash, burra Shteti, publicista e udhtimtarë të huej. Prandej un parave këtë programë punimi:
I. Të hartohet nji bibliografí e cila të përfshijë të tâna veprat qi flasin për Shqipnín e për popullin shqiptar drejt ase tërthuer e rrëshqitas në çdo gjuhë të botës. Pra nji bibliografi jo vetëm shqiptare, por ballkanike.
II. Të lexohen me kujdes të gjitha këto vepra e të daktilografohen në gjuhë origjinale të gjitha pjesët e tyne qi pohojnë të drejtat t’ona kombtare, sidomos ethnike, tue shënue për secilën pjesë, qoftë edhe nji frazë, autorin, titullin e veprës dhe faqen nga âsht marrë. Secilës pjesë t’i vêhet nji titull qyteti, katundi a krahine ase shkurtim argumenti – në qoftë copë e gjatë – për të cilin flet.
III. Këto copa të zgjedhuna me kujdes prej veprash të studjueme mirë, të selekcjonohen, të klasifikohen e të botohen me index-e racjonale, në mënyrë qi të mundet me u gjetun automatikisht se ç’âsht folë e kush e ka folë për Kombin shqiptar.
IV. Për t’a bâmë e kryem në kohë të dobishme gjithë këtë punë duhet bashkëpunimi i të tânë intelektualvet shqiptar qi kuptojnë mirë nji gjuhë të huej (inglisht, gjermanisht, frêngjisht, italisht, greqisht, sërbohërvatisht, bullgarisht, rumanisht, tyrqisht), e qi s’përtojnë me këndue. Të gjithë këta duhet të rekrutohen vullnetarisht mbrênda nji kohe të caktueme me nji thirrje t’Institutit Mbretnuer të Studimeve Shqiptare. Secili prej atyne qi do t’a pranojnë këtë bashkëpunim, do t’i shkruej Institutit se:
a) Ç’farë gjuhe këndon e kupton mirë;
b) Sa orë në ditët e në javët mund ti kushtojë kësaj pune;
c) Ç’farë biblioteke mundet me konsultue në qytet ku banon.

V. Mbasi të jetë përgatitun katalogu i vepravet për t’u studjue (libra, statistika, karta ethnografike, rivista, etj.), të dahet puna tue i caktue secilit bashkëpuntuer pjesën e vet simbas kompetencës (gjuhës që din) e mbas disponibilitetit të kohës qi do të ketë tregue ai vetë (v. IV, b), si edhe mbas mundsís së tij me pasun në dorë veprat qi do t’i jenë caktue me studjue.
VI. Bashkëpuntorvet duhet tu caktohet nji kohë mbrênda së cilës do ti paraqesin Institutit përfundimin e punës qi u âsht dhânë me bamë.
VII. Instituti do të formojë nji komisjon prej bashkëpuntorësh kompetenta qi banojnë në Tiranë a qi mund të vijnë me banue përkohsish këtu për qyrë selekcjonimin e përpilimin e veprës definitive.
VIII. Fondet qi kanë me u lypun për këtë punë t’i paguej Instituti prej së vetash, në pastë, ase prej ndihmash qi mund të mbledhë lehtas për këtë qëllim.

(Mustafa Merlika Kruja)
Mis i Inst. Mbret. Stud. Shqiptare”

* * *

“Thirrje intelektualëvet shqiptarë”

Instituti i studimeve shqiptare ka marrë iniciativën me mbledhë e botue çdo dokument e çdo dishmi të shkrueme prej të huejsh për të drejtat e kombit t’onë, sidomos për të drejtat e tij ethnike. Për këtë qëllim do të këndohen të gjithë veprat e shkrueme në gjuhna të ndryshme si drejt për drejt përmbi Shqipnin e Shqiptarët, ashtu edhe për kombet e tjera me të cilët populli shqiptar ka pasë të bâjë gjatë historis së vet. Prej këtyne veprave do të qëmtohen gjith’ato pjesë që provojnë të drejtat t’ona. Këto mandej do të seleksionohen e të rendohen prej nji komiteti të posaçëm e të zgjedhun në mes t’atyne që do t’aderojnë në këtë bashkëpunim. Nji tjetër komitetet do të ngarkohet për të mbledhë dokumentat diplomatike, që kanë të bâjnë me çâshtjen t’onë.
Si shihet fare qartë pra puna që dëshiron të kryejë I.S.S.(h) âsht me randësi shumë të madhe për fatin e kombit shqiptar, por edhe gjithaqë e vështirë dhe materialisht e randë. Mund të kryhet vetëm me bashkëpunimin e gjithë intelektualëvet që këndojnë dhe kuptojnë mirë nji gjuhë të huej e qi mund t’i kushtojnë kësaj pune nji pjesë të kohës së tyne. Udhëzimet e punimit kanë për t’u-dhanë mbasi të jenë mbledhun adresionet. Prandaj I.S.S.(h) u kujton këtë detyrë të shêjtë patriotike gjithë bashkëatdhetarëvet, që janë në gjendje ta kryejnë siç u-tha mâ nalt edhe pret prej tyne me letër të porositun ose, po të jetë e mundun, me letër të dërgueme me dorë e sa mâ shpejt këtë përgjegje:
a) Ç’farë gjuhe të huej këndon dhe kupton mirë;
b) Sa orë në ditë a në javë mundti kushtojë kësaj pune;
c) Emën e mbiemën dhe adresë.

/revistashenja