Prokuroria nis hetimet për punësimet në KEK

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se ka nisur hetimet në lidhje me punësimet e reja në një konkurs të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Të hënën, disa media raportuan për dyshime për dallavere në punësimin e më shumë se 100 personave.

Sipas Prokurorisë, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të këtyre pretendimeve, konform dispozitave ligjore në fuqi.

Përveç në media, të martën, edhe partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se ka emëruar militantë në KEK dhe kërkoi anulimin e konkursit, derisa ftoi Prokurorinë për hetime.

“Rasti i fundit është ku aplikuan 4.668 persona (në KEK v.j) e u punësuan 128 militantë e të afërm të VV-së. Kërkojmë që një trend si ky të ndërpritet. LDK-ja kërkon që ky konkurs të anulohet menjëherë. Shkarkim dhe suspendim i të gjithë zyrtarëve në KEK. Ftojmë prokurorinë që të hetojë”, ka deklaruar zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, në një konferencë për shtyp.

Ndërkaq kryeministri Albin Kurti ka mohuar akuzat se në Korporatën Energjetike të Kosovës janë punësuar përkrahës të Vetëvendosjes. Kurti ka thënë se nëse ka pasur parregullsi në konkursin në KEK, të njëjtat do të rregullohen me shqyrtimin e ankesave.

“Nuk ka punësim të militantëve e ka komisione të cilët e bëjnë një vlerësim pasi që ka teste edhe me shkrim edhe me intervistim dhe gjithashtu ka edhe të drejtë ankese. Nëse ka pasur ndonjë parregullsi, padrejtësi ankesat dhe shqyrtimi i tyre do ta rregullojnë”, u shpreh Kurti të martën.