Prokuroria Speciale heshtë për hetimet e Blakajt ndaj invalidëve të luftës, komisioni nën kërcënime shqyrton mijëra kërkesa

Nga mbi 3 000 kërkesa për pension invalidor pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), kanë mbetur për tu shqyrtuar edhe rreth 300 të tilla. Sipas burimeve të Indeksonline pasi që të përfundojnë këto kërkesa, institucionet e vendit kanë planifikuar qe t’i futin në rishqyrtim të gjithë përfituesit e deritanishëm të cilët janë në skemat pensionale si invalid të UÇK-së. Dyshohet që shumë prej përfituesve aktual të pensionit të invalidit marrin pensione pa meritë. Arbër Morina është kirurg i përgjithshëm që punon pranë ShSKUK-së në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale, detyrën për të qenë anëtar i Komisionit Shtetëror për përcaktimin e shkallës së invaliditetit e kishte marrë me shumë vullnet dhe përkushtim. Arbëri që është vetë invalid i luftës së UÇK-së, i cili është i plagosur në Koshare gjatë luftës në Kosovë, rrëfen për Indeksonline për sfidat dhe kërcënimet që ka marrë dhe po merr gjatë gjithë kohës si kryetar i komisionit. “Unë vetë jam i plagosur në gjoks gjatë luftës dhe detyra që më është caktuar për mua është shumë sfiduese, por unë këtë detyrë e kam marrë me shumë përgjegjësi dhe profesionalizëm dhe jam betuar në Zot e Atdhe se nuk do të bëj lëshime. Nuk do të lëshoj pe për asnjë rast dhe me asnjë çmim por me përgjegjësinë time unë besoj se nuk i kam hyrë në hak askujt dhe nuk do ta bëj një gjë të tillë. Pavarësisht kërcënimeve që kam marrë nga persona të ndryshëm unë nuk jam dorëzuar por e kam vazhduar detyrën me përkushtim dhe profesionalizëm. Për mua kjo detyrë është e shenjtë dhe nuk do të lejojë që individ të caktuar të përfitojnë apo të shtiren sikur janë invalidë pa qenë fare, sepse të gjithë e dimë se çfarë ka ndodhur me listat e veteranëve”. Dr.Arbër Morina Arbëri tregon detaje për kërcënimet që ka marrë dhe presionet që ka pasur qysh me fillimin e punës së kryesuesit të komisionit të mjekëve. “Qysh me fillimin e punës ne jemi përballur me kërcënime madje deri aty sa që na kanë hyrë persona me armë duke na kërcënuar se do të ua bëjmë kështu apo ashtu vetëm pse ne i kemi rrëzuar në komision. Ka pasur raste edhe kur ka ardhë personi dhe na ka nxjerrë armën në tavolinë edhe na ka thanë ose unë ose ju. Pastaj është tensionuar situata dhe kemi pas përplasje dhe kanë ardhë policia dhe i kanë arrestuar ata persona e nuk e di se çfarë ka ndodhur me ato raste. Policia shumicën e kohës na kanë ruajtur te dera gjatë orarit të punës sepse vazhdimisht kemi pasur kërcënime. Në vazhdimësi unë personalisht kam marrë me dhjetëra kërcënime edhe përmes telefonit dhe rrjeteve sociale. Rasti i fundit ka qenë para një jave kur një person më ka thirrur në telefon dhe ka ardhur te spitali dhe më ka thënë ku je se ka me ardh me të vra e me ta ba kështu e ashtu…unë e kam thirr policinë dhe ka ardh dhe e ka arrestuar atë person”. Kryesuesi i Komisionit mjekësor tregon për Indeksonline se si policë dhe pjesëtarë të FSK-së kanë ardhur për të ju nënshtruar verifikimit për invaliditet dhe shumica prej tyre janë rrëzuar sepse i kemi zënë duke mashtruar edhe me dokumente por edhe me histori të rrejshme të cilat nuk i kanë pasur të faktuara aspak. “Ka ardhur një pjesëtar i FSK-së me gishta të këputur të dorës dhe ka thënë se i kam humbur në luftë, por kur e kemi pyetur se ku i ke dokumentet e luftës që je plagosur dhe pse s’ke marrë pension qe 20 vite ai është skuqur dhe është qu prej tavolinës dhe s’ka ardhur më kurrë”. Shumë pjesëtar të Policisë së Kosovës marrin pension të invaliditetit që nga paslufta por ata edhe vazhdojnë të punojnë në polici e shumë të tjerë kanë aplikuar për të përfituar pension invalidor edhe gjatë vitit 2018. Dr. Arbër Morina tregon se komisioni i mjekëve shumicën prej aplikantëve që janë polic i kanë rrëzuar. Ai thotë se ka pasur presione edhe nga ana e policisë për shkak të punës së tij që po e bënë në komisionin mjekësor për përcaktimin e shkallës së invaliditetit. “Në shtator të vitit të kaluar një BMW X5 i zi pa tabela më ka përcjellë qysh kur kam dalë nga vendi i punës e deri afër Gjilanit, unë e kam thirrur policinë dhe ja kam treguar rastin pas 5 minutave xhipi i zi e ka devijuar rrugën dhe më nuk më ka përcjellur…Pastaj në dhjetor 2018 unë kam qenë duke shkuar nga puna në shtëpi në Kamenicë, mbrapa më ka ndjekur një Golf 5 i zi me tabela civile dhe më ka ndalur në Veternik, aty kanë dalur tre persona njani e ka nxjerr bexhin dhe më ka thënë se jena polic civil. Policët civil më kanë dhënë urdhër të dal nga makina dhe ma kanë bastisur makinën, më kanë kontrolluar mua dhe një shok timin që kam qenë me të. Unë i kam pyetur se a keni urdhër që po më kontrolloni apo çka është puna ata nuk mu kanë përgjigjur dhe më kanë thënë mos fol asgjë por trego ku e ke armën. Unë s’kam pasur asgjë të jashtëligjshme dhe pastaj më kanë liruar”. Ai tregon se prapa këtyre ngjarjeve mund të jenë disa policë që janë rrëzuar nga komisioni mjekësor që po e kryeson ai. Në muajin mars dhe prill të vitit të kaluar dy herë persona të panjohur kanë shkuar në shtëpinë e tij në Kamenicë në mesnatë. Krejt këto ngjarje doktori beson që kanë lidhje me punën e tij që po e bënë në komisionin mjekësor. “Po ka qenë në mars kur rreth orës 23:00 unë kam qenë në shtëpi me familje kur ka ra zilja dhe ka dalë baba në derë dhe i ka pa dy persona, ata i kanë thënë babës se po më lypin mu se kena punë me Arbërin, baba ka ardh dhe më ka thirr unë kam dal jashtë por ata kanë ikur sapo më kanë pa, e njëjta gjë ka ndodhë edhe në muajin prill edhe atëherë kanë qenë dy persona. Unë të gjitha këto raste i kam të paraqitura edhe në polici në Kamenicë dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur me këto raste”. Doktori thotë të ketë pasur kontakte të vazhdueshme me prokurorin e Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj dhe ai ka qenë duke e hetuar tërë procesin për verifikimin e invalidëve të luftës. Indeksonline ka kontaktuar me ish-prokurorin e larguar nga Kosova Elez Blakaj i cili ndodhet në Amerikë dhe e ka pyetur për këtë proces. “Tema e lartëcekur për të cilën jeni duke punuar është shumë e qëlluar, proces ky për cilin institucionet duhet të trajtojnë urgjentisht dhe në mënyrë korrekte secili sipas kompetencave që ka sipas ligjit. Kërkoj falje që nuk mund të flas më tepër, sepse mund të këtë ndonjë hetim lidhur me këtë çështje dhe nuk po dua te ndërhyjë në punën e prokurorëve NËSE të njëjtit janë duke punuar!” Ne i kemi dërguar pyetje edhe më të detajuara Blakajt, por ai më nuk na është përgjigjur. A po e heton apo saboton policia dhe prokuroria procesin e hetimit të nisur nga prokurori Blakaj? Indeksonline që një muaj i ka dërguar pyetje Prokurorisë Speciale se çfarë po ndodhë me procesin për verifikimin e invalidëve dhe se a është duke e hetuar këtë proces, por që nga ajo kohë ende nuk ka marrë përgjigje. Për këtë proces është kontaktuar edhe Policia e Kosovës e cila është pyetur për rastet e kërcënimeve që u janë bërë anëtarëve të komisionit gjatë gjithë vitit të kaluar dhe se çfarë ka ndodhur me rastet e raportuara. Policia e ka konfirmuar vetëm rastin e fundit të ndodhur me 15.01.2019 të cilën e ka dërguar me Kallëzim Penal në Prokurorinë Themelore. Ndërsa kjo e fundit e ka konfirmuar rastin përmes përgjigjes me shkrim: “Duke ju referuar kërkesës suaj, lidhur me disa kanosje që po u bëhen anëtarëve të komisionit (mjekë) për aplikimet për invalid të luftës së UÇK-së, ju njoftojmë se më 17.01.2019, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar kallëzim penal nga Njësia e Hetimeve të Stacionit Policor Jugu, në lidhje me veprën penale “Kanosje”, nga neni 185 të KPRK-së. Për këtë rast Prokuroria Themelore në Prishtinë ka filluar procedurë të rregullt ndaj të dyshuarit, prandaj rasti ndodhet në fazën e hetimeve”.