Protesta në SHBA kundër masave të Kinës për COVID

Rreth 200 njerëz kanë mbajtur protestë dy blloqe larg Shtëpisë së Bardhë në shenjë mbështetjeje për demonstratat në Kinë që kërkojnë t’u jepet fund kontrolleve të rrepta të koronavirusit dhe bëjnë thirrje për ndryshime politike.

Protestuesit në Freedom Plaza mbanin pankarta që thoshin “jo diktaturë, jo censurë” dhe kërkonin që presidenti i Kinës, Xi Jinping dhe Partia Komuniste në pushtet të heqin dorë nga pushteti. Ata ndezën qirinj dhe brohoritën “Kina e lirë”.

Disa mbanin fletë të zbrazëta, simbol i kundërshtimit ndaj censurës së përhapur të partisë. Protestat nisën më 25 nëntor pasi të paktën 10 persona humbën jetën në një zjarr në Urumqi, qytet në veriperëndim të Kinës. Autoritetet hodhën poshtë sugjerimet se zjarrfikësit ose njerëzit që përpiqeshin të arratiseshin mund të ishin bllokuar nga masat e bllokimit të COVID-19.

Mirëpo fatkeqësia ka vënë në pah zhgënjimin e publikut me masat që kufizojnë miliona njerëz në shtëpitë e tyre.