Protesta në Ukrainë kundër vaksinimit të detyrueshëm anti COVID

Qindra njerëz i kanë bllokuar rrugët e kryeqytetit të Ukrainës të mërkurën duke protestuar kundër vaksinimit të detyrueshëm si dhe kundër masave të reja për personat që nuk janë të vaksinuar.

Rreth 500 protestues kanë marshuar para objektit të Parlamentit të Ukrainës me pankarta në duar duke i bërë thirrje Qeverisë që të respektojë të drejtat e njeriut.

Nga e hëna autoritetet e Kyviv kanë vendosur masa të reja, duke ua ndaluar transportin publik dhe hapësirat ku ka zhvillime, personave që nuk janë të vaksinuar kundër COVID-19.

Personat që nuk janë të vaksinuar më nuk kanë të drejtë të shkojnë në punë dhe të vizitojnë vende publike nëse nuk e dëshmojnë se kanë një test negativ për koronavirus, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv.

Restorantet, hotelet dhe qendrat e fitnesit do të jenë të hapura atëherë kur punonjësit e tyre dëshmojnë se janë të vaksinuar ose janë me test negativ.

Në Ukrainë të vaksinuar kundër COVID-19 janë vetëm 17 përqind e popullsisë, atje janë shfaqur 23,393 raste të reja vetëm të hënën me koronavirus, duke e quar numrin e përgjithshëm të të prekurve në 2.9 millionë.