Në ngjarjet e dhunshme dhe protestat kundër qeverisë që vazhdojnë prej dy javësh në Kili kanë humbur jetën 20 persona, 1.218 të tjerë janë plagosur dhe 9.203 persona janë arrestuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në vendin e Amerikës së Jugut, Kili, vazhdojnë ngjarjet e dhunshme dhe protestat kundër qeverisë që nisën më 6 tetor me rritjen e çmimit të biletës së metrosë në kryeqytetin Santiago dhe të cilat u ashpërsuan më 19 tetor duke shkaktuar ngjarje të plaçkitjeve në shumë qytete.
Sipas raportit të publikuar nga Ministria e Drejtësisë së Kilit, deri më tani në protesta, përfshirë edhe ngjarjet e plaçkitjeve dhe zjarrvënieve kanë humbur jetën 20 persona ndërsa janë plagosur 1.218 të tjerë, përfshirë 745 forca sigurie.
Si pasojë e këtyre ngjarjeve janë arrestuar gjithsej 9.203 persona, janë djegur 26 autobusë dhe janë dëmtuar gjithashtu 49 stacione metroje.
– Protestat vazhdojnë
Protestat ende vazhdojnë kryesisht në Santiago pavarësisht se presidenti Sebastian Pinera ndërroi 8 ministra përfshirë ministrat e Financave dhe të Brendshëm.
Herë-herë ndodhin përleshje mes forcave të sigurisë dhe protestuesve të cilët mblidhen në sheshin historik “Italia” të qytetit dhe kërkojnë dorëheqjen e presidentit Pinera.
Në protestat e një dite më parë protestuesit tentuan të marshojnë nga sheshi “Italia” në rezidencën e presidencës La Moneda, por u përballën me pengesën e policisë dhe gjatë konflikteve të përjetuara dogjën një qendër tregtare në rajon.
Të premten më 25 tetor në Santiago u zhvillua një protestë e madhe me pjesëmarrjn e 1.2 milionë personave. Po ashtu edhe në fundjavë pritet që në kryeqytet të zhvillohet një protestë tjetër e madhe për dorëheqjen e Pinera-s.








