Protestuesit: Qeveria, përgjegjëse për shtrenjtimin e rrymës

Nën brohoritjen “Asnjë cent ma shumë”, qytetarë të shumtë kanë nisur protestën e tyre para KEDS-it për të kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë elektrike në vend.

Njëri nga organizatorët e protestës, Rron Gjinovci, tha se përgjegjësinë për shtrenjtimin e energjisë elektrike e bartin Qeveria e Kosovës dhe politikanët.

Kjo pasi sipas tij, kompanitë private synojnë të fitojnë e nuk kanë në mendje mirëqenien e qytetarit, ndërsa është qeveria ajo që duhet të marrë përgjegjësitë e veta.

Teksa po marshojnë drejt objektit të Qeverisë, protestuesit në duar po mbajnë parullat si “S’paguaj ma shumë”, “Mos i mprehni dhomt”, “Pak për veriun, tash edhe për juve”, me anë të të cilave po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të mos rrisë çmimin e energjisë.

Ndryshe, kohë më parë është paralajmëruar shtrenjtimi i rrymës prej njëzet për qind, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi të madhe në radhët e qytetarëve.