Protestuesit tentojnë të sulmojnë parlamentin, policia hedh gaz lotsjellës

Pas një orë e gjysëm proteste përpara kryeministrisë, protestuesit i janë bashkuar thirrjes së liderit demokrat Lulzim Basha dhe kanë zhvendosur tubimin e tyre përpara parlamentit.

Lideri demokrat Lulzim Basha ka mbajtur përpara protestuesve fjalën e tij ku ka deklaruar se opozita nuk do tërhiqet nga qëndrimi i saj pa u krijuar një qeveri tranzitore pa Edi Ramën, përmes të cilës do të arrijnë standartet europiane për qytetarët e saj. Menjëherë pas fjalës së kreu të PD, protestuesit kanë çarë kordonin e policisë.

Opozita proteston kundër qeverisë, në një tubim ndryshe nga të parët, për vetë faktin se ka nisur në orën 18:00 të pasdites, dhe nuk dihet nëse ka skenarë për të qëndruar gjatë natës para kryeministrisë.

Ka nisur me sulm ndaj godinës së kryeministrisë, protesta, ku simpatizantët kanë hedhur bojë, ndërsa fermerët kanë hedhur domate dhe kanë derdhur qumështin para kryeministrisë, kundër vendimit të qeverisë për TVSH-në. Liderët politikë ju bashkuan protestës 30 minuta me vonesë, lideri demokrat Lulzim Basha doli nga selia në 18:30, ashtu sikundër edhe Monika Kryemadhi nga LSI-ja.

Në mesin e protestuesve ka shumë persona me maska të cilët me flakadanë në duar kanë hedhur tymuese dhe kapsollë ndaj policisë. Në një tubim që mbahet në nëj ditë me reshje shiu, PD-ja u ka shpërndarë protestuesve çadra të njëjta me mbishkrimin “Ik”.

Policia e Shtetit ka marrë masat për mbarëvajtjen e tubimit me kamera sigurie, dronë, agjentë civilë, mbi 1500 efektivë policie, automjete të hedhjes së ujit, autoblinda për monitoruar gjithçka dhe ndërhyrë në rast se do të ketë ekzaltim të situatës. Ndërkohë, kryeministri Rama ndodhet në një vizitë zyrtare jashtë vendit.